Shqipëri: Bllokohet tregtia në portet e doganat me Greqinë, nga pamundësia e pagesave

Shqipëria

Shqipëri: Bllokohet tregtia në portet e doganat me Greqinë, nga pamundësia e pagesave

Më: 3 korrik 2015 Në ora: 18:21

Mijëra kamionë dhe konteinerë janë bllokuar në portet dhe pikat hyrëse të Greqisë, në pritje të hapjes së bankave. Sipas Dhomës së Tregtisë së Athinës, vetëm në portin e Pireut gjenden mbi 20 mijë konteinerë.

Probleme janë hasur në veri të vendit, ndërsa qindra kamionistë grekë kanë mbetur të bllokuar në Europë, në pamundësi të furnizohen me karburant, pasi kartat e tyre të kreditit nuk janë funksionale, raporton Top Channel.

Për momentin, ende në tregjet greke ka sasi të mjaftueshme mallrash, por gjatë ditëve në vazhdim pritet të fillojnë edhe mungesat në mallrat e konsumit të gjerë.

Askush nuk e di se kur do të hapen bankat, ndërsa biznesmenët grekë thonë se, nuk mund të durojnë për shumë kohë në këto kushte dhe mijëra biznese do të mbyllen për shkak të mungesës së mallrave dhe mungesës së parasë “cash”.

Situata e krijuar ka bllokuar gjithë importet e vendit dhe, padyshim, edhe ato nga Shqipëria.

Arjan Zoto, administratori i një firme transporti, thotë se kompania e tij ka dhjetëra konteinerë dhe kamionë në pritje të zhdoganimit, por kalimi i ditëve dhe mos hapja e bankave ka bërë, që ai dhe kompania e tij të vihen në vështirësi.

Zoto tha se, ka ngarkesa të mbërritura nga Shqipëria dhe se, ato nuk mund të zhdoganohen, duke i shkaktuar kompanisë së tij dëme të pallogaritshme.

“Makinat tona kanë ardhur nga Shqipëria dhe nuk shkarkohen dot. Pritet hapja e bankave. Nuk bëhen dot veprime doganore. Kam 10 makina këtu dhe 9 me qira. Kam të bllokuara në Doganën e Selanikut, atë të Patrës dhe të Artës. Nuk e dimë se kur do të mbarojmë. Na anulohen ngarkesat dhe firmat e kanë të pamundur të veprojnë. Kemi edhe drejtuesit e mjeteve këtu, të cilët i mbajmë pa mundur t’i paguajmë. Po përballemi me katastrofë”, tha Arjan Zoto.

Një prej shoferëve të kompanisë thotë se, edhe ai ka mbetur për ditë të tëra nëpër dogana, pa mundur të shkarkojë.

“Jemi nëpër rrugë – shprehet shoferi, – dhe nuk dimë se ç’do të bëhet. Na anulohen ngarkesa dhe po shohim që katastrofa po mbërrin, pa mundur të bëjmë asgjë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat