OSBE-Bashës: Angazhim për të zbatuar rekomandimet

Shqipëria

OSBE-Bashës: Angazhim për të zbatuar rekomandimet

Më: 3 korrik 2015 Në ora: 15:54

Zgjedhjet vendore të 21 qershorit ishte çështja kryesore që u diskutua mes liderit të PD-së, Lulzim Basha dhe sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zannier

Basha u takua sot me Zannier në Vjenë, për të diskutuar për disa çështje lidhur me zgjedhjet vendore të mbajtura më 21 qershor.

Zannier tha se u informua rreth qëndrimit të Bashës dhe se dëgjoi me vëmendje shqetësimet e tij rreth zhvillimeve më të fundit në Shqipëri, në lidhje me zgjedhjet vendore dhe parregullsitë e pretenduara gjatë procesit zgjedhor.

Duke vënë në dukje rolin e rëndësishëm dhe të paanshëm të luajtur nga Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve i Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat Njeriut (OSBE/ODIHR) në monitorimin e procesit zgjedhor, Zannier e siguroi bashkëbiseduesin se në Raportin Përfundimtar të Misionit do të pasqyrohet një vlerësim objektiv dhe i saktë i zgjedhjeve, kur ky të bëhet publik pas rreth tetë javësh.

“Raporti përfundimtar do të ofrojë disa rekomandime, për përafrimin e mëtejshëm të proceseve zgjedhore me angazhimet e OSBE-së dhe standardet ndërkombëtare. Pres nga të gjitha palët, që të angazhohen në mënyrë konstruktive, për t’i vënë në zbatim këto rekomandime, në dobi të popullit shqiptar”, tha Zannier.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat