Të burgosurit me celularë, Zoto: Duhen fonde për bllokimin e valëve

Shqipëria

Të burgosurit me celularë, Zoto: Duhen fonde për bllokimin e valëve

Më: 3 korrik 2015 Në ora: 15:26

Përdorimi i telefonave celularë nga të burgosurit mbetet një problem shqetësues për sigurinë dhe rendin e vendit. Pavarësisht se prej kohësh është kërkuar investimi për bllokimin e valëve, një infrastrukturë e tillë ende nuk është mundësuar.

Drejtori i përgjithshëm i burgjeve, Artur Zoto, u shpreh se bllokimi i valëve celulare do të zgjidhte këtë problem, por kjo nuk është arritur për mungesë fondesh.

Këtë shqetësim Zoto e ngriti gjatë aktivitetit me trajnerët e burgjeve, të cilët u certifikuan pas një trajnimi 2-javorë nga instruktorë të Policisë së Shtetit dhe nga programi ICITAP.

“Duke vlerësuar infrastrukturën është e nevojshme, që të bëhen investime konkrete në mënyrë që të bllokohen valët e celularëve pranë institucioneve, për t'i bërë këto mjete të pavlefshme në përdorim. Me fondet që kemi në dispozicion nuk kemi mundur që të posedojmë mjete, që të bëjmë bllokimin e këtyre valëve. Duke i bërë kërkesë dhe Ministrisë së Drejtësisë, do të bëjmë në të ardhmen posedimin e këtyre mjeteve”, u shpreh Zoto.

Sipas kreut të burgjeve në tre muaj, përfshi prillin, majin dhe qershorin janë sekuestruar mbi 70 telefona celularë që përdoreshin nga të burgosurit, ndërsa shumë të tjerë janë gjetur nga familjarët në tentativë për t’iu dhënë të burgosurve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat