Reforma në drejtësi, konsultime publike në Universitetin e Korçës

Shqipëria

Reforma në drejtësi, konsultime publike në Universitetin e Korçës

Më: 3 korrik 2015 Në ora: 09:44

Konsultimet publike për komponentët kryesorë të dokumentit “Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri” do të vijojnë te premten me forumin rajonal të radhës në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë.
Anëtarët e komisionit të posaçëm dhe ekspertët e nivelit të lartë, që do të jenë të pranishëm në këtë takim, do të dëgjojnë opinione dhe sugjerime rreth Strategjisë për Reformën në Drejtësi, posaçërisht për çështje që lidhen me “sistemin gjyqësor dhe financimin e drejtësisë në Shqipëri”.
Të ftuar në këtë veprimtari janë gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë nga qytetet e Korçës dhe Pogradecit, pedagogë e studentë të këtij Universiteti, si dhe përfaqësues nga shoqëria civile.
Në ditët në vazhdim konsultimet publike do të vijojnë në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, në Universitetin “Eqerem Çabej” ne Gjirokastër dhe Universitetin “Nehemia” ne Pogradec.
Gjatë muajit qershor janë zhvilluar forume të ngjashme edhe në universitetet e Shkodrës dhe Vlorës, ku janë marrë opinione dhe propozime konkrete për këtë reformë të rëndësishme.

Dokumenti Analitik i Sistemit të Drejtësisë është një përshkrim tërësor i mënyrës së organizimit dhe funksionimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe i rezultateve që ka dhënë ky sistem që nga viti 1998 (vit kur u hodhën themelet e sistemit në Kushtetutë).

Ky përshkrim përfshin të gjithë komponentët, duke filluar nga organizimi i gjykatave dhe prokurorisë, detyrat e tyre, mënyra sesi “qeveriset” gjyqësori dhe prokuroria, statusi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, mënyra e administrimit të shërbimeve gjyqësore dhe prokuroriale, financimi i sistemit, etj.

Hartimi i Dokumentit Analitik është motivuar nga nevoja për të ndërtuar një plan reformash, i cili përcaktohet nga problemet dhe nevojat reale të sistemit, nga nevoja për të minimizuar efektin negativ të faktorëve të tillë, si politizimi, që shpesh në të kaluarën kanë diktuar axhendën e reformave, si dhe nga nevoja për të mundësuar përfshirjen e të gjithë aktorëve të fushës dhe atyre ndërkombëtarë në këtë proces historik.

Partnerë në këtë reformë me rëndësi strategjike janë EURALIUS-BE, OPDAT-SHBA, Komisioni i Venecias, OSBE-ja dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë-SOROS.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat