Listës hetimore i shtohen edhe dy persona, çifti Gjecaj ndihmoi Aldo Kobuzin

Shqipëria

Listës hetimore i shtohen edhe dy persona, çifti Gjecaj ndihmoi Aldo Kobuzin

Më: 3 korrik 2015 Në ora: 09:17

Dy emra të rinj i shtohen dosjes hetimore të operacionit “Martesa”. Janë regjistruar në listën e personave nën hetim cifti shqiptar Dritan Gjecaj e Ljubjana Gjecaj, rezidentë në komunën e Trevilio në provincën e Bergamos. Pikërisht në komunën e Trevilios regjistrohet më vitin 2014 martesa mes shqiptarit Aldo Kobuzi e italianes Maria Giulia Sergio, konvertuar në islam si Fatima az Zahra.

Sipas prokurorisë italiane kjo familje shqiptare ka ndihmuar nga ana logistike dhe ekonomike Aldo Kobuzin dhe bashkëshorten e tij Maria Giulia Sergio për tu larguar nga Italia drejt Sirisë. Materiali hetimor vërteton se cifti Gjecaj jo vetëm u ka ofruar shtëpinë si bazë qëndrimi për Aldo Kobuzin e Maria Giulia Sergio, por dhe ka paguar biletat e tyre te avionit për të udhëtuar nga aeroporti i Fiumicinos në Romë drejt Turqisë e më pas në Siri. Të mërkurën në mëngjes, ndërsa në Itali e Shqipëri ekzekutohet urdhëri i arrestimeve për anëtarët e celulës terroriste, apartamenti i Ljubjana Gjecaj e Dritan Gjecaj është kontrolluar imtësisht nga policia italiane.

Dosja hetimore vërteton se Ljubjana Gjecaj e Maria Giulia Sergio njihen në gusht të vitit 2014, në xhaminë e qytezës San Paolo d’Argon, në provincën e Bergamos gjatë panairit të librit islamik “M’arid al Kitab”. Pak ditë më vonë mbërrin në Itali, tek të afërmit e tij në provincën e Grosetos, shqiptari Aldo Kobuzi. Më 17 shtator 2014 në komuën e Trevilios nënshkruhet martesa mes Maria Giulia Sergio e Aldo Kobuzit e të gjithë familjarërt e dhëndërit mikpriten në shtëpinë e Ljubjana Gjecaj e Dritan Gjecaj.

Katër ditë më pas më 21 shtator 2014 me bileta të paguara nga cifti Gjecaj, Aldo Kobuzi e bashkëshortja e tij italiane nisen nga Roma drejt Turqisë, për të mbërritur më pas në Siri.

Ndërkohë dokumentacioni administrativ në komunën e Trevilios vërteton se cifit Gjecaj më vitin 2011 është ndihmuar ekonomikisht nga kjo komunë, fakt që ka shkaktuar polemika në grupimin politik të Lidhjes së Veriu, influenca e së cilës është mjaft e fortë në këtë territor.

Ljubjana Gjecaj e Dritan Gjecaj për momentin nuk janë të arrestuar, por mbi ata është vënë masa e personave nën hetim për favorizim në organizim terrorrist.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat