Dekriminalizimi, zgjatet afati dhe për gjashtë muaj

Shqipëria

Dekriminalizimi, zgjatet afati dhe për gjashtë muaj

Më: 3 korrik 2015 Në ora: 07:41

Nisma për çështjen e dekriminalizimit, e filluar në dhjetor të vitit 2014 me iniciativën e opozitës, nuk ka arritur të mbyllet në kohë dhe për shkak të angazhimit të madh të partive në procesin zgjedhor që sapo kaloi vendi. Për rrjedhojë, Partia Demokratike ka kërkuar një shtyrje të afatit të punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për dekriminalizimin me gjashtë muaj. Ky komision u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë më 19 shkurt të këtij viti. Ai u miratua 102 vota pro, me konsensus nga të gjitha forcat politike dhe drejtohet nga deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi.Për deputetin Bylykbashi, marrëveshja e dhjetorit të shkuar dhe rezoluta e ndërkombëtarëve është garancia se maxhoranca nuk do të mund t’i shmanget konsensusit. Sipas tij, është e nevojshme të shtyhet afati që të përmbushen të gjitha kërkesat e parashtruara. Nënkryetari i Komisionit parlamentar të Ligjeve ka thënë se opozita është gati që të ndërhyjë edhe në Kushtetutë për të parandaluar njerëzit me rekorde kriminale në politikë.

Përsa i përket emërimeve të personave me histori kriminale në postet drejtuese të administratës, Bylykbashi shtoi se do të ketë ndryshime të tjera ligjore për këtë kategori. Mbledhjet e komisionit të dekriminalizimit janë shtyrë disa herë për shkak të debateve të forta që janë zhvilluar mes grupeve të deputetëve të dy forcave politike. Kryetari dhe nënkryetari i këtij komisioni, e kanë pasur të vështirë të gjejnë gjuhën e përbashkët të diskutimit çështjen e të inkriminuarve. Madje në një nga mbledhjet, Oerd Bylykbashi dhe Taulant Balla kanë kaluar në sherre personale, çka ka sjellë largimin e socialistëve nga mbledhja. Përplasjet e shkaktuara në komision e kanë zvarritur jo pak procesin. Vendimi Vendimi për shtyrjen deri në dhjetor u mor në Konferencën e Kryetarëve të Kuvendit.

Partia Demokratike, me “veton” e vënë për dekriminalizimin, arriti të jetësojë nismën për ndalimin e kandidimit të personave me precedentë kriminalë, por në fund të procesit zgjedhor të 21 qershorit, ligjvënësit e djathtë patën rezerva për disa kandidatë të së majtës dhe anasjelltas. Edhe pse PD iu imponua maxhorancës me kushtet e saj që ky proces të kryhej deri në fund nga të gjithë forcat politike, nuk qenë të pakta akuzat që lëshuan dy kampet politike për kandidatët kundërshtarë, që nga fillimi i shpalljes së emrave të kandidatëve për kryetar bashkie. Pavarësisht se palët u treguan të gatshme të bashkëpunojnë në fillim të procesit, në mënyrë që Shqipëria të dalë mirë para opinionit ndërkombëtar, ajo që prodhoi ky proces tregoi të kundërtën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat