25 vjetori i Ambasadave/ Rama ironizon Bashën: Më duket sikur të ka vajtur mendja të kalosh gardhet

Shqipëria

25 vjetori i Ambasadave/ Rama ironizon Bashën: Më duket sikur të ka vajtur mendja të kalosh gardhet

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 18:52

Kryeministri Edi Rama dhe kreu demokrat Lulzim Basha kanë shkëmbyer batuta në distancë në 25 vjetorin e hyrjes së shqiptarëve në Ambasada.

Një status i kreut demokrat Lulzim Basha është pasuar në rrjetet sociale nga një përgjigje ironike e Kryeministrit Edi Rama.

“Duke lexuar përkujtimin e Lulzim Bashës për hedhjen e njerëzve përtej gardheve të ambasadave m’u duk sikur i ka vajtur mendja të bëjë të njëjtën gjë”, shkruan Rama në rrjetet sociale duke iu përgjigjur komenteve të Bashës.

Komenti i Bashës

Kreu demokrat Basha shprehet se në vend të festimeve, ky përvjetor na bën të reflektojmë. Ai i referohet zgjedhjeve të 21 qershorit, sipas të cilit janë manipuluar.

“Si sot 25 vjet më pare, rinia shqiptare, burrat e gratë guximtarë shemben murin e izolimit dhe u hodhen në oborrin e selive të huaja duke zgjedhur lirinë në vend të diktaturës.

Falë kurajos dhe guximit të tyre që u ngritën dhe qëndruan të parët kundër diktaturës dhe izolimit, Shqipëria nisi rrugën pa kthim drejt Europës. Hapa të rëndësishëm u hodhën në këtë rrugë, duke sjellë lëvizjen e lirë, anëtarësimin në NATO, marrjen e statusit të vendit kandidat.

Në vënd të kremtimeve, ky 25 vjetor na bën sot të reflektojmë si asnjëhere tjetër për vendin dhe shoqërinë tonë. Me zgjedhjet e 21 qershorit, vota e lirë, themeli i demokracise është dëmtuar rëndë, kriza ekonomike ka pllakosur vendin, mjerimi është ulur këmbëkryq në mijëra familje shqiptare, eksodi është rikthyer i dhimbshëm sa atëherë.

25 vjet më parë, bashkëqytetarët tanë refuzuan me forcë propagandën e regjimit që fliste për arritje spektakolare, ndërkohë që vendin e kishte mbërthyer zija e bukës. Sot, 25 vjet më pas, shqiptarët po e braktisin vendin duke ikur drejt Europës nga dëshpërimi, papunësia, nga korrupsioni, nga pasiguria dhe nga mjerimi ekonomik.

25 vjet më parë ne provuam se askush nuk mund të na mposhtë, askush nuk mund të na vrasë shpresën, të na fundosë lirinë dhe dinjitetin. Shqiptarët do ta dëshmojnë serish se kemi të njëjtën kurajo për të refuzuar varfërine, kriminelët dhe korrupsionin, këtë sistem që e mban në këmbë blerja e votave”, shkruan Basha

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat