Nishani takon ish-diplomatin gjerman, Werner Daum

Shqipëria

Nishani takon ish-diplomatin gjerman, Werner Daum

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 16:23

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani në kuadrin e përkujtimit të 25-vjetorit të ngjarjeve të 2 korrikut 1990, të hyrjes së shqiptarëve në ambasadat e huaja, priti sot në një takim, ish-të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Republikës Federale Gjermane në Tiranë në vitet 1987-1990, Dr. Werner Daum. Ai ka qenë edhe një prej dëshmitarëve të hyrjes së disa mijëra qytetarëve shqiptarë në ambasadën gjermane në Tiranë në korrik 1990, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim zyrtar nga Presidenca e Shqipërisë, bëhet e ditur se Nishani duke iu referuar 25-vjetorit të ngjarjeve të 2 korrikut 1990, shprehu mirënjohjen për rolin dhe kontributin personal të Dr. Daumit dhe të shtetit gjerman, në hapjen e dyerve për qytetarët e parë shqiptarë që refuzuan dhe kundërshtuan regjimin komunist.

“Përkujtimi i ngjarjeve të 2 korrikut 1990, përbën për ne shqiptarët sot një moment shumë rëndësishëm refleksioni. Hyrja e shqiptarëve në ambasadat e huaja në Tiranë ishte një goditje e rëndë për regjimin. Përmes këtij akti, mijëra shqiptarë vranë frikën dhe refuzuan publikisht izolimin dhe regjimin komunist. Ata u bënë dallëndyshet e para që lajmëruan afrimin e lirisë të cilën ne shqiptarët gëzojmë sot. ” – u shpreh Nishani gjatë këtij takimi.

Presidenti i Republikës shprehu gjithashtu mirënjohjen për Gjermaninë dhe popullin gjerman për inkurajimin e proceseve demokratike në Shqipëri, por edhe për ndihmën e gjithanshme që i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve që nga vitit 1990 e në vijim. “Në vitin 1990, shqiptarët kishin nevojë për inkurajim dhe kjo iu ofrua nga Gjermania. Në vetëm pak muaj, ngjarjet e korrikut u pasuan nga demonstrata e studentëve e 8 dhjetorit 1990. Ajo demonstratë goditi rëndë regjimin dhe e mbështetur masivisht nga populli shqiptar, imponoi proceset dhe ndryshimet demokratike në Shqipëri.” – theksoi Nishani.

Nga ana e tij Dr. Daum u shpreh se: “Ajo çka unë pashë në Shqipëri, në atë kohë, ishte se njerëzit kërkonin ndryshim dhe e konsiderova si një detyrim të madh inkurajimi i tyre dhe që ai regjim i tmerrshëm të merrte fund njëherë e mirë dhe njerëzit të ishin të lirë”.

Një mirënjohje të veçantë, Presidenti Nishani gjatë takimit e shprehu edhe për mbështetjen që Gjermania po i jep Shqipërisë në procesin e integrimit evropian të vendit, duke theksuar se: “Ky proces është ndihma më e madhe i jepet Shqipërisë dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, pasi do të identifikojë standardet që vendet duhet të kenë për qytetarët e tyre dhe përgjegjësitë për të ardhmen e tyre”.

Gjithashtu, Kreu i Shtetit e përgëzoi Dr. Daumin edhe për angazhimin e tij personal në promovimin e kulturës dhe të historisë së Shqipërisë, përmes publikimeve, librave dhe kurimit të ekspozitave të veçanta për historinë dhe artin shqiptar.

Kujtojmë së më 2 korrik 1990 me mijëra qytetarë shqiptarë nga Tirana, por edhe rrethet e ndryshme të vendit hynë në ambasadat e vendeve Perëndimore të akredituara në Shqipëri, duke shprehur hapur kundërshtimin ndaj regjimit dhe duke kërkuar largimin e tyre jashtë vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat