Zgjedhjet, Patozi: PD humbi por as PS nuk fitoi, Meta u mërzit me Ramën

Shqipëria

Zgjedhjet, Patozi: PD humbi por as PS nuk fitoi, Meta u mërzit me Ramën

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 15:48

​Zgjedhjet vendore të 21 qershorit kanë marrë gjithë vëmendjen e Parlamentit ditën e sotme. Kanë qenë deputetët e opozitës që kanë akuzuar mazhorancën se ka deformuar zgjedhjet duke blerë votat me para, me kërcënime apo me shantazhe deri në jetën e njeriut.

Deputeti Astrit Patozi, në emër të Partisë Demokratike, ka pranuar humbjen e zgjedhjeve nga PD-ja, por nga ana tjetër, ai u shpreh se zgjedhjet nuk i fitoi as e majta.

Duke ironizuar aleancën bashkëqeverisëse Rama-Meta, Astrit Patozi, tha se Ilir Meta bën sikur i ka ngelur qejfi me Edi Ramën, sepse gjoja paska kapur në flagrancë udhëheqës socialistë, që nuk kanë rënë ende 'në dashuri' me LSI-në. Shkurtimisht ai tha se këto ishin zgjedhje të këqija, dhe se kjo është më e pakta që mund të thuhet për to.

Patozi: Ne i humbëm qartësisht, por edhe qeveria nuk i fitoi dot zgjedhjet e 21 qershorit

"Natyrisht, që në letër qeveria ka arritur një rezultat të mirë, por edhe ajo vetë nuk po i gëzohet dot numrave. Dhe kjo, jo thj esht se Ilir Meta bën sikur i ka ngelur qejfi me Edi Ramën, sepse gjoja paska kapur në flagrancë udhëheqës socialistë, që nuk kanë rënë ende në dashuri me LSI-në, dhe kjo në ditët e sotme qenka e barazvlefshme me “krim kundër njerëzimit”. Këto ishin zgjedhje të këqija, dhe kjo është më e pakta që mund të thuhet për to. Natyrisht, kjo nuk e përligj humbjen tonë, e cila sa më shumë të fshihet, aq më tepër do të rendonte mbi shpinën e kërrusur të opozitës. Besoj se nuk duhet shumë kurajo per të pranuar një të vërtetë, apo atë që e shohin dhe e prekin të gjithë, sepse është vetë aritmetika, si shkencë ekzakte, që nuk të lë shumë mundësi interpretimi. Por jo të gjithë e kanë këtë ndjenjë realizmi," tha Patozi.

Patozi nuk reshti së ironizuari LSI-në ndërsa tha se kjo parti ishte “thithëlopa e këtyre zgjedhjeve”, e specializuar në shitblerjen e votës.

Patozi: LSI ësht ë e specializuar në shitblerjen e votës

"LSI ishte thithëlopa e këtyre zgjedhjeve, pavarësisht se kryetari i saj bën sikur është mërzitur me aleatin e tij të madh, të cilin pak nga pak po e barazon në përmasa. Sepse ajo është e specializuara në këtë fushë, ajo ka ekskluzivitetin në shitblerjen e votës, se ajo ta kthen më shpejt se të gjithë nderin, se pazarit të saj nuk i shpëton asnjë nga nivelet e pushtetit, që nga legjislativi, e deri tek gjyqësori, që nga institucionet e pavarura, e deri tek pushteti lokal. Shqipëria e sotme po merr trajtat dhe po i përshtatet filozofisë së kësaj ndërmarrjeje biznesi, që vetëm emrin ka parti politike. Natyrisht që për dikë kjo është meritë, të cilën edhe unë vetë do t’ia njihja, po të kisha parasysh vetëm rritjen e numrave të saj. Por që prej të hënës ne mësuam se jemi më të pagarantuar dhe më të pambrojtur në liritë dhe të dr ejtat tona, jo vetëm në të drejtën për të zgjedhur, por edhe në ato me elementaret," tha më tej Patozi, ndërsa kritikoi edhe ankimimin e fundit të LSI-së për të ndryshuar rezultatin në Vorë, ku dukshëm sipas tij ka fituar PD.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat