Zgjedhjet në Vorë, KQZ merr në administrim provat e LSI-së

Shqipëria

Zgjedhjet në Vorë, KQZ merr në administrim provat e LSI-së

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 14:04

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori të enjten në administrim provat e paraqitura nga Lëvizja Socialiste për Integrim, përmes të cilave kjo forcë politike kërkon të provojë pretendimet e saj për pavlefshmëri të zgjedhjeve në bashkinë Vorë. Pas tre orë debatesh institucioni zgjedhor mori në cilësinë e provës listat e votuesve, për të cilat do të marrë një vendim në mbledhjen e orës 15:00.
KQZ mori sot në shqyrtim kërkesën ankimore të LSI-së që kërkon shpalljen të pavlefshëm të rezultatit në disa qendra votimi të bashkisë Vorë, ku në përfundim të procesit të numërimit të votave rezultoi fitues kandidati i koalicionit të djathtë, Fiqiri Ismaili.

Para prezantimit të ankesës nga përfaqësuesit ligjorë të subjektit zgjedhor, përfaqësuesi i LSI-së, Ylli Manjani, bëri disa komente rreth çështjes, duke pohuar se zgjedhjet në Vorë ishin të lira, po jo të ndershme.

“Zgjedhjet në bashkinë Vorë ishin të lira, demokratike, pati garë dhe pjesëmarrje, por mungonte standardi tjetër, që është ndershmëria. Zgjedhjet në këtë zonë zgjedhore nuk ishin të ndershme, sepse kryetarin e bashkisë e kanë zgjedhur jo banorët e Vorës, por disa jabanxhinj elektoralë”, komentoi Manjani.
Më pas, avokati i çështjes i LSI-së parashtroi argumentet, mbi të cilat kërkon shpalljen të pavlefshëm të rezultatit në disa QV në Vorë dhe përsëritjen e zgjedhjeve në këtë zonë, për shkak të shtimit fiktiv të numrit të zgjedhësve.
“Janë bërë transferime të paligjshme të zgjedhësve në bashkinë Vorë, duke shkelur ligjin për gjendjen civile dhe deformuar vullnetin e votuesve. Sipas informacionit të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile konstatohen 745 transferime të paligjshme të shtetasve, dhe nga përllogaritjet kemi bindjen se të paktën 420 shtetas që nuk janë banorë të Vorës kanë votuar dhe kanë ndryshuar rezultatin në mënyrë të pandershme dhe fiktive. Pretendimet tona i kemi të dokumentuara”, tha avokati.
“Kanë votuar njerëz që nuk janë banorë të zonës dhe që u përfshinë në mënyrë të paligjshme në lista”, shtoi Manjani. Ky i fundit, në përgjigje të pyetjeve të përfaqësuesve të opozitës, nënvizoi se “LSI nuk i ka hapur gjyq kryetarit të bashkisë Vorë, pasi nuk është ai pala ankuese. Konflikti ynë është me menazhimin e procesit zgjedhor në Vorë dhe hilet që çuan në një proces të pandershëm”.
Në zgjedhjet e 21 qershorit në bashkinë Vorë, në përfundim të numërimit të votave, fitues rezultoi kandidati i koalicionit të djathtë Fiqiri Ismaili. Ismaili fitoi me rezultat të ngushtë kundrejt kandidatit të koalicionit të majtë, Luan Sallaku, i propozuar nga LSI.
Situata parazgjedhore në Vorë u shoqërua me tensione, pas akuzave të LSI-së ndaj kandidatit Ismaili për shtim fiktiv të listave të votuesve në këtë zonë zgjedhore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat