Bushati-Glover: Qeveria tregoi përkushtim për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor

Shqipëria

Bushati-Glover: Qeveria tregoi përkushtim për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 14:02

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, priti në një takim Ambasadoren Audrey Glover, e cila është në përfundim të Misionit Vëzhgues të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 21 qershorit në Shqipëri.

Tema kryesore e takimit ishte mbarëvajtja e fushatës zgjedhore në mënyrë të rregullt dhe të qetë, gjë që dëshmoi përkushtimin dhe kujdesin e qeverisë shqiptare për të garantuar që dita e zgjedhjeve, procesi i numërimit të votës dhe mbarëvajtja e fushatës të kalojnë sa më mirë, ashtu siç edhe u premtua se procesi është më i rëndësishëm se sa rezultati.

Referuar Deklaratës së Gjetjeve dhe Përfundimeve Paraprake të OSBE/ODIHR-it të datës 22 qershor 2015, zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015 përbëjnë një arritje për standardet ndërkombëtare, si për shembull pjesëmarrja e gruas në të drejtën e votës dhe për t’u zgjedhur, apo prodhimi i posterave në gjuhët e pakicave kombëtare, sipas vendbanimit të zgjedhësve përkatës.

Në takim me ministrin Bushati, Kreu i Misionit Vëzhgues Zgjedhor, Ambasadorja Glover, falënderoi Ministrinë e Punëve të Jashtme për ftesën për të vëzhguar zgjedhjet, si dhe për bashkëpunimin dhe mbështetjen e dhënë gjatë kohëzgjatjes të vëzhgimit.

Misioni Vëzhgues Zgjedhor i OSBE/ODIHR-it e nisi veprimtarinë në vendin tonë më 15 maj 2015 dhe kishte në përbërje 16 ekspertë që punuan në Tiranë dhe 20 vëzhgues afatgjatë të shpërndarë në 10 vende, nëpër të gjithë Shqipërinë. Gjatë ditës së zgjedhjeve, u punësuan rreth 200 vëzhgues, përfshirë 24 anëtarë të delegacionit që përfaqësojnë 15 shtete nga Kongresi i Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Evropës. Gjithsej, kanë marrë pjesë 32 vëzhgues nga shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat