Klosi: Të rritim bashkëpunimin me biznesin

Shqipëria

Klosi: Të rritim bashkëpunimin me biznesin

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 11:08

(E plotësuar) - Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi pati sot një mëngjes pune me përfaqësues të shoqatës “Biznes Albania”, ku dhe u diskutua mbi nevojat që ka sot komuniteti i biznesit, por edhe për prirjet e tregut të punës.

Teksa vlerësoi kontributin që ka dhënë biznesi, si në ringritjen e të gjitha zyrave të punës, ashtu edhe në reformimin e arsimit profesional, ministri Klosi kërkoi që ky bashkëpunim të intensifikohet edhe më tej për t’u dhënë zgjidhje afatgjata problemeve që janë mbartur në vite.

Duke u ndalur te zyrat e punës ai vlerësoi se, për t’i bërë më efektive dhe të prekshme ato, duhen indikatorë të rinj që mundësojnë rritjen reale të punësimit.

“Është për t’u vlerësuar shumë ringritja e gjithë sistemit të zyrave të punës në shkallë vendi, por a janë ato zyra që realisht i shërbejnë punës, a janë këto zyra që e kërkojnë biznesmenin që ofron punë, apo janë zyra pritëse që më shumë shërbejnë si një pikë ku njerëzit shkojnë dhe ankohen, por që e kanë të vështirë që të gjejnë një lidhje të drejtpërdrejtë të biznesit me punëkërkuesin?”, u shpreh Klosi në fjalën e tij.

Në vijim të çështjes së punësimit, ministri Klosi duke u solidarizuar edhe me shqetësimin që ngritën sipërmarrësit në këtë takim, u shpreh se ka ardhur koha që punëtorët e çfarëdolloj kategorie të shoqërohen me një historik të punësimit të tyre, në mënyrë që bizneset të dinë se kë po punësojnë dhe çfarë aftësish reale ka një punëkërkues.

“Së bashku me ju, ne mund ta ndërtojmë një sistem të plotë. Eksperiencat janë, vendet e zhvilluara e kanë të qartë këtë. Ne do duhet ta bëjmë. Dhe unë ju premtoj se do ta marrim në konsideratë ngritjen e sistemit të historisë së punëmarrësit”, tha më tej Klosi.

Një tjetër çështje që mori një vëmendje të madhe në këtë takim ishte edhe arsimi profesional, për të cilin ministri Klosi theksoi se, pavarësisht vëmendjes së shtuar ndaj tij në dy vitet e fundit mbetet ende shumë për të bërë në drejtim të kualifikimit siç duhet të nxënësve.

Klosi me përfaqësuesit e biznesit: Do mbaj premtimin për hapjen e 300 mijë vendeve të punës

Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, zhvilloi sot një takim me përfaqësues të Biznes Albania.

Ministri Klosi gjatë takimit u shpreh “dua të vazhdoj projektin për mbajtjen e premtimit për hapjen e 300 mijë vendeve te punes. Sikurse ka bërë edhe paraardhësi im, do të vazhdoj bashkepunimin me bizneset”.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e biznesit u shprehën se “taksa 15 % e biznesit duhet ulur. Duhet ta rikthejmë taksën e sheshtë”. Nga ana tjetër, Luan Bregasi, president i BiznesAlbania, nënvizoi rëndësinë e ndryshimit të kurrikulave për shkollat profesionale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat