Ramajli: Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, hapi i parë institucional për pavarësinë e Kosovës

Shqipëria

Ramajli: Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, hapi i parë institucional për pavarësinë e Kosovës

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 10:15

Deklarata Kushtetuese e para 25 viteve shënoi hapin e parë institucional për pavarësinë e Kosovës, u shpreh sot ekskluzivisht për ATSH-në nënkryetari i Kuvendit kosovar në atë kohë, Ilaz Ramajli, i cili më pas u zgjodh edhe kryetar. Edhe kur u shpall Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, Ramajli faktikisht udhëhiqte me shumicën e delegatëve, meqë kryetari ishte nga radhët e pakicës serbe që kundështonin autonominë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut, të cilën e përcolli në mënyrë të natyrshme nxjerrja e Kushtetutës së Republikës së Kosovës në 7 Shtator 1990, amendamentet e saj dhe më vonë referendumi gjithëpopullor për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, për kohën kur u nxorën, besoj se shprehin kontinuitetin e vullnetit politik të shqiptarëve që nga luftërat për pavarësi, për çlirim kombëtar dhe për krijim të shtetit sovran, të mishëruara në përpjekjet e pareshtura që të jemi zot të vetvetes, të jetojmë të lirë, të pavarur, e të respektuar”, tha Ramajli.

Ai kujtoi se, Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut, u miratuan dhe u shpallën nga Kuvendi pikërisht në kohën kur më nuk kishte asnjë dyshim se ish-Jugosllavia kishte hyrë në rrugën e pakthim të shpërbërjes.

“Deklarata Kushtetuese ishte dhënie e formës kushtetuese juridike vullnetit të shprehur unanimisht nga shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës, dhe nga subjektet e atëhershme politike në Kosovë dhe ishte një vlerësim dhe akt i drejtë, që në kushtet e krijuara të shpërbërjes së ish- Jugosllavisë, Kosova si njësi e pavarur, vet e në mënyrë të pavarur duhet të vendosë për fatin e sajë”, theksoi Ilaz Ramajli.

“Miratimi i Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 shënoi hapin e parë institucional të procesit të gjatë për pavarësinë e Kosovës. Kjo deklaratë, besoj, qe moment kthese në historinë më të re të Kosovës, sepse ishte akti i parë i artikulimit të qartë të vizionit dhe të vullnetit politik të qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi. Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, bashkë me aktet e tjera që e pasuan, e që po kështu janë me rëndësi jetike për Kosovën, si Kushtetuta e Kaçanikut dhe Referendumi për pavarësi, shënojnë kthesën historike në përpjekjet tona të gjithanshme për liri”, tha Ramajli.

Ai vijoi se, kundër Deklaratës Kushtetuese të Kosovës të 2 Korrikut 1990 Serbia drejtoi tërë aparatin represiv administrativ, policor e ushtarak.

“Në 5 korrik 1990 Kuvendi i Serbisë, në kundërshtim me Kushtetutën, suprimoi Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës, largoi nga puna të gjithë të punësuarit shqiptarë që punonin në organet qendrore të Kosovës, njësia speciale e policisë serbe, e cila vepronte në kuadër të forcave federale të policisë të stacionuar në Kosovë, me dhunë, hyri në Televizionin e Prishtinës, e pushtoi atë dhe i largoi nga vendet e punës stafin udhëheqës dhe të punësuarit tjerë shqiptarë. Në ditët në vijim u ndalua botimi i gazetës së vetme të përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë, Rilindja, u ndaluan edhe publikime të tjera në gjuhën shqipe dhe u larguan nga puna me mijëra shqiptarë. Nga data 5 korriku 1990 Serbia realisht e kishte pushtuar me forcë dhe me masa antikushtetuese Kosovën”, tha Ilaz Ramajli.

“Deklarata Kushtetuese është hapi i parë drejt pavarësisë së Kosovës, pavarësi kjo që u ndërtua me Lëvizjen paqësorë për çlirim e pastaj me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për tu realizuar e plotë në 17 Shkurt 2008, kur deputetët e Kuvendit të Kosovës shpallën Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, i cili tashmë është njohur nga mëse 110 shtete, ndër to fuqitë më të mëdha ekonomike dhe ushtarake të botës”, përfundoi Ilaz Ramajli.

Kryeparlamentari kosovar i viteve ’90-të të shekullit të kaluar, Ramajli do të flasë në seancën solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës në 2 Korrik 2015 në orën 11:00, ku do bëhet shënimi i 25 vjetorit të miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990.

Kosova para 25 vitesh me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 shpallte pavarësinë e saj, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Gazetari Zenun Çelaj tregon ekskluzivisht për ATSH-në: Tani çdo gjë duket si një tregim nga ndonjë autor me imagjinatë të pasur, ndërsa një çerek shekulli nga koha kur ndodhi Deklarata Kushtetuese, për gjeneratat e reja jo aq të informuara, ose jo aq të interesuara për ngjarjet historike, tani është vetëm një datë.
Megjithëkëtë Deklarata e 2 Korrikut të vitit 199 po fiton peshën historike që i takon realisht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat