KQZ sot vendos për Vorën, refuzon pretendimet për Pukën

Shqipëria

KQZ sot vendos për Vorën, refuzon pretendimet për Pukën

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 09:04

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve diskutoi rastet e ankimimit nga LSI për bashkinë e Vorës, për të cilën u vendos që shqyrtimi të shtyhej për ditën e sotme. Pretendimet e Lëvizjes Socialiste për Integrim për rezultatin e zgjedhjeve do të diskutohen në mbledhjen e radhës që do mbahet sot në orën 10:00. Ndërsa ditën e djeshme KQZ-ja shqyrtoi kërkesat ankimore për zgjedhjet lokale në bashkinë e Pukës, ndërsa rrëzoi pretendimet e opozitës për ta shpallur të pavlefshëm procesin. Përfaqësuesit e Partisë Demokracia Sociale dhe Partia Kristian Demokratike e Shqipërisë për këtë bashki deklaruan para anëtarëve të Komisionit Zgjedhor se kërkojnë anulimin e zgjedhjeve, pasi ka pasur probleme në KZAZ nr.7.

“Kur një subjekt politik nuk ka komisioner dhe as vëzhgues. Tabela përmbledhëse nuk ka pasur asnjë dokumentacion. Në KZAZ nr.7 nuk është vënë në përdorim asnjë tabelë përmbledhëse. Duhet të mbajnë përgjegjësi shkelësit për këto parregullsie. Kërkoj shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve, pasi ka pasur probleme”, tha një nga ankimuesit. Këto fakte i mbështeti dhe përfaqësuesi ligjor i PD-së, Ivi Kaso. “Ne i mbështesim këto kërkesa, pasi janë probleme reale. Ja lëmë në dorë KQZ-së vendimin”, pohoi Kaso.

Ndërkohë, pas bërjes publike të fakteve që disponohen nga ana e opozitës për bashkinë e Pukës, anëtarët e KQZ-së vendosën që t’i quanin ato kërkesa të pavlefshme. Po kështu kandidati i pavarur për bashkinë e Këlcyrës, Bujar Fezga, kontestoi zgjedhjet në këtë bashki, i mbështetur edhe nga Partia Demokratike. Sipas, Ivi Kasos, në Këlcyrë rezultojnë votues edhe emigrantët që nuk ndodhen në Shqipëri. Ai theksoi se rezultati është manipuluar në dëm të Bujar Fezgës. Vendimi për këtë bashki do të merret ditën e sotme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat