Pas fitores së zgjedhjeve, PS përgatit rigjenerimin e strukturave

Shqipëria

Pas fitores së zgjedhjeve, PS përgatit rigjenerimin e strukturave

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 09:01

Partia Socialiste duket se kërkon t’i “shpëtojë” euforisë së fitores së zgjedhjeve të 21 qershorit, duke u mobilizuar për të bërë një ristrukturim të sajin, për t’i çuar punët në drejtimin e duhur edhe për sa i përket zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste zhvilloi ditën e djeshme mbledhjen e parë pas zgjedhjeve të 21 qershorit. Mbledhja u drejtua nga kryeministri Rama, i cili mbajti edhe një fjalim të gjatë përpara deputetëve.

Fillimisht lideri i PS-së Rama bëri një analizë për rezultatin e zgjedhjeve, ku nuk nguroi të shprehte edhe një kënaqësi për fitoren, ndërsa nënvizoi se një analizë të thellë do t’i bëhet edhe zonave ku e majta pësoi disfatë, aq më tepër në ato bashki ku historikisht janë identifikuar si bastione të majta, si Pogradeci, Përmeti apo Mallakastra. “Fitorja e 21 Qershorit nuk duhet të na bëjë euforikë e të flemë mbi dafina. Për të gjitha ato zona e bastione ku u shënuan rezultate të dobëta, do të nxirren përgjegjësitë e plota”, citohet të ketë thënë Rama. Ndërsa burimet thanë se kryesocialisti nuk kurseu kritikat edhe ndaj drejtuesve të PS-së në rrethe, sidomos në zonat ku e majta doli humbëse apo në zonat ku rezultati nuk doli sipas pritshmërive. Duke e lënë të hapur edhe mundësinë e lëvizjeve të ndryshme të të zgjedhurve apo të emëruarve vendorë.

Kryeministri Edi Rama, u shpreh se fitorja ishte e madhe, por se përgjegjësitë tashmë janë më të mëdha. Mësohet se Rama ka tërhequr vëmendjen e deputetëve socialiste, se duhet të përqendrohen në detyrën e tyre në Parlament, në shqyrtimin dhe mbështetjen e projektligjeve dhe reformave të propozuara nga qeveria, ndërsa paralajmëroi se një analizë e thellë për zgjedhjet e 21 qershorit do të bëhet në muajin shtator, kohë kur do të mblidhet edhe Asambleja Kombëtare e partisë. Ndërsa përpos rezultati të zgjedhjeve, mbledhja e Asamblesë do të bëhet edhe për një “rifreskim” të strukturave. Konkretizimi do të “vuloset” gjatë muajit dhjetor, kohë në të cilën do të vendoset nga ana e Kongresit edhe nëse do të ketë apo jo një votim për zgjedhjen e kryetarit, mandati i të cilit ka përfunduar që më 26 shtator të vitit 2013.

Kryesocialisti Rama, gjatë fjalës së tij para deputetëve, nënvizoi edhe njëherë tjetër atë çka e shprehu qartë gjatë festës së 24-vjetorit të themelimit të PS-së, se objektivi është që për t’u shtuar në rreth 150 mijë anëtarë. Rama u shpreh se deri më 12 qershor 2016, strukturat duhet të kenë bërë një punë të tillë, që të jetë kapur shifra e 150 mijë anëtarëve. Në mbledhjen e grupit, kryetari Rama u ka lënë porosi deputetëve të shtyjnë pushimet për në gusht dhe të fokusohen plotësisht te jeta parlamentare deri në seancën e fundit, në kalendar për më 30 korrik.

Në përfundim të mbledhjes së grupit, deputeti Koço Kokëdhima tha se rezultati i Aleancës për Shqipërinë Evropiane në këto zgjedhje pritej. “Koalicioni i së majtës së bashkuar fitoi në mënyrë të qartë, ka marrë gati gjithçka në këto zgjedhje. Kjo është një fitore e shkëlqyer, jo vetëm për të majtën, por një fitore për të gjithë popullin”, u shpreh deputeti Kokëdhima.

Darka në Surrel

Kryeministri dhe njëkohësisht kreu i PS-së Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar njoftoi se do të shtrojë edhe një darkë për të gjithë deputetët dhe ministrat e kabinetit. Darka e kryeministrit do të shtrohet në shtëpinë e tij në Surrel, ndërsa qëllimi i saj është festimi i triumfit të zgjedhjeve të 21 qershorit. Burimet u shprehën se kjo është një darkë normale që do të organizohet nga kryeministri, ndërsa cituan edhe batutat e Ramës, i cili pati thënë: “Kur t’u vijë ftesa, konfirmojeni nëse do të jeni prezent ose jo, pasi është një fshat i vogël, që nuk ka shumë vend dhe as shumë ushqim”. Në këtë mbledhje mungoi një nga zërat më kritik të së majtës kohët e fundit, deputeti Ben Blushi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat