Sistemi bankar shqiptar, i pandikuar nga kriza

Shqipëria

Sistemi bankar shqiptar, i pandikuar nga kriza

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 07:43

Në mbledhjen e djeshme, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë analizoi zhvillimet e fundit në Greqi, sa i përket rreziqeve potenciale dhe kanaleve të mundshme të transmetimit tyre, si dhe veprimet e Bankës së Shqipërisë për administrimin në vijim. Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko dha edhe një herë garancinë për mosprekjen e sistemit bankar shqiptar nga kriza greke.

Ai u shpreh se, në vendin tonë, bankat e nivelit të dytë përbëjnë vetëm 15 për qind të kapitalit të sistemit bankar në vend. “Sistemi bankar nuk është i ekspozuar, si ndaj sektorit publik grek apo sipërmarrësve grekë. Nuk ndikojnë as në mënyrë të drejtpërdrejtë, as në mënyrë të tërthortë. Në çdo rast jemi të gatshëm, të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshme për të garantuar stabilitet financiar dhe ekonomik të vendit”, garantoi Sejko.

Mbledhja

Këshilli Mbikëqyrës informon opinionin publik se sistemi gëzon shëndet të plotë financiar, në kushtet e një likuiditeti të bollshëm dhe të një kapitalizimi të lartë. Banka e Shqipërisë ka ndjekur prej vitesh një politikë të shtuar kujdesi ndaj bankave me pjesëmarrje të kapitalit grek, duke iu imponuar atyre kushte më konservatore në lidhje me kapitalizimin e veprimtarisë dhe nivelin e likuiditetit. Të dhënat e fundit tregojnë se sistemi bankar shqiptar nuk është i ekspozuar ndaj sektorit publik grek apo ndaj grupeve private greke. Bankat me kapital grek përbëjnë 15 për qind të totalit të sistemit bankar shqiptar, krahasuar me 25 për qind në fund të vitit 2008.

Këshilli Mbikëqyrës thekson se vendimet e autoriteteve greke për kontrollin e lëvizjeve të kapitalit dhe për ndërprerjen e përkohshme të aktivitetit bankar në Greqi, nuk ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë aktivitetin e sistemit bankar në Shqipëri, përfshirë dhe bankat e licencuara me kapital grek. Këto të fundit janë entitete shqiptare, të cilat e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në përputhje të plotë me kuadrin ligjor, rregullues dhe atë mbikëqyrës, që zbatohet në territorin e Republikës së Shqipërisë. Lidhur me ecurinë e ngjarjeve të fundit dhe, Sejko e mbylli fjalën e tij, duke thënë se situata po monitorohet në mënyrë të pandërprerë, brenda dhe jashtë vendit.

“Ne po vlerësojmë me kujdes çdo skenar që mund të rrjedhë nga evoluimi i krizës greke, i cili mund të kërkojë rishikimin e parashikimeve tona ekonomike. Në çdo rast, ne mbetemi të gatshëm të marrim të gjitha masat e nevojshme për të respektuar objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve. Në bashkëpunim me partnerët tanë strategjikë, veçanërisht FMN dhe BQE, do të ndërmarrim veprimet e duhura për të ruajtur të paprekur stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit”, deklaroi Sejko.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat