Hoffman: Biznesi gjerman në Shqipëri, gati të tërheqë investimet

Shqipëria

Hoffman: Biznesi gjerman në Shqipëri, gati të tërheqë investimet

Më: 1 korrik 2015 Në ora: 18:04

Që nga korriku i vitit 2013, asnjë gjyqtar apo prokuror nuk është dënuar në vend, ndërsa komuniteti i biznesit është i pakënaqur dhe gati të tërheqë investimet. Kështu u shpreh ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Helmut Hoffman, i cili foli sot për nevojën e reformës në drejtësi.

Në konsultimin publik të mbajtur sot në Durrës me temë “Sistemi gjyqësor dhe financimi i drejtësisë në Shqipëri”, Hoffman theksoi se reforma në drejtësi është një domosdoshmëri për të përmirësuar situatën në vend dhe për të vendosur barazinë para ligjit për të gjithë.

“Nga bisedat që kam pasur me investitorët gjermanë në Shqipëri kam mësuar se ata janë të pakënaqur dhe shprehen të gatshëm për t’u tërhequr nga vendi. Ky shqetësim është bërë prezent edhe gjatë takimit të fundit të kancelares Angela Merkel me kryeministrin Rama”, deklaroi Hoffman.

I pranishëm në konsultimin publik mbi reformën në drejtësi, kryetari i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Florian Rauning, tha se Shqipëria është zotuar të respektojë angazhimet e OSBE-së, ndër të cilat janë transparenca dhe angazhimi qytetar, duke i garantuar çdo qytetari të drejtën për t’iu drejtuar qeverisë dhe Kuvendit, si edhe për t’u dëgjuar mbi çështjet me interes publik.

Raunig deklaroi se gjyqtarët dhe profesionistët ligjorë, bashkë me qytetarët, do të diskutojnë mbi vizionin e duhur të sistemit të drejtësisë së shekullit XXI në Shqipëri. ambasadori përmendi edhe rëndësinë e eficiencës për drejtësinë në vend:

“Grupet e Punës për reformën kanë bërë një analizë të plotë të katër dimensioneve të drejtësisë: pavarësia, paanësia, llogaridhënia dhe eficienca. Dua të theksoj vlerën e eficiencës. Eficienca është thelbësore për të vënë të drejtën në vend: drejtësi e vonuar është drejtësi e mohuar. Kjo është përgjegjësi e përbashkët: edhe pse janë gjyqtarët ata që e administrojnë një çështje, avokatët, palët në proces, dëshmitarët dhe të tjerët duhet të kontribuojnë për efiçencën e procesit gjyqësor. Kjo ndodh edhe me sistemin e menaxhimit aktiv të çështjeve në Gjykatat e Rretheve Gjyqësore Krujë, Korçë, Tropojë dhe Pukë, me mbështetjen e Prezencës dhe të USAID JuST, bashkë me Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Ministrinë e Drejtësisë”, u shpreh Raunig.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat