Basha: Dolëm gjallë! Analiza e humbjes do na çojë në fitore

Shqipëria

Basha: Dolëm gjallë! Analiza e humbjes do na çojë në fitore

Më: 1 korrik 2015 Në ora: 13:11

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e nisi fjalimin e tij përpara grupit parlamentar të PD duke folur për dhunimin e standardeve zgjedhore.

“Këto zgjedhje po përcaktohen dita-ditës si zgjedhjet më brutale të pushtetit të veshur me krim në qeverisjen e Shqipërisë. Këto zgjedhje janë shënuar në kancelaritë europiane për precedentin e kandidimit të të inkriminuarve për kryebashkiakë, pavarësisht kërkesave të zyrtarëve të lartë të BE-së për moskandidimin e tyre. Këto zgjedhje u shënuan gjithashtu edhe nga angazhimi i të gjitha strukturave të shtetit, e në veçanti të policisë, në një fushatë dhune, arrestimesh, kërcënimesh e keqtrajtimesh nga Veriu në Jug, e nga Lindja në Perëndim. Pati urdhër ndaj administratës për votën, si dhe blerjen e votave me anë të parave të fondeve publike, duke falsifikuar e sekuestruar gjithashtu edhe kartat e identitetit. U manipuluan kutitë e qendrave të votimit, duke u mbushur veçanërisht gjatë transportit të tyre drejt KZAZ-ve për numërim, pas nxjerrjes jashtë me dhunë të komisionerëve të opozitës”, tha Basha.

Por çfarë bëri opozita për këto zgjedhje?

“Ne ishim dhe jemi në këtë betejë me paralajmërimet dhe denoncimet tona të vendosura,” tha Basha.

Sipas tij, qëllimi i Edi Ramës ishte eliminimi i plotë i opozitës, duke deklaruar se të djathtën e ka në koalicion.

“Alternativa tjetër do ishte mospjesëmarrja në zgjedhje, kundërshtari është investuar për këtë opsion. Por ky nuk është një opsion për PD. Ne do jemi gjithmonë në fushën e betejës, vetëm në këtë mënyrë mbahet gjallë fryma e fitores,” tha Basha.

“Dyshja Rama-Meta prisnin zvogëlimin deri në zhdukje të së djathtës. Pavarësisht skemës kriminale dhe manipulimeve, PD dhe opozita u rritën në këto zgjedhje. 120 mijë votat e Halim Kosovës në Tiranë janë të arta, për këtë arsye ambasadori amerikan i dërgoi një letër atij”.

Sipas Bashës, “zgjedhjet nuk do i njohë si të ndershme asnjë vend mik. Kjo është një njollë turpi që hiqet me vështirësi”.

“Zgjedhjet kanë dalë në pah si problemi më madhor që ka vendi. Zgjedhjet nuk lidhen me fatin e Lulzim Bashës, por të gjithë Shqipërisë,” theksoi kreu i PD, duke shtuar se “me mendje dhe zemër kemi dëshiruar një rezultat tjetër”.

“Unë dhe të gjithë drejtuesit e PD nga baza në qendër kemi përgjegjësinë për të analizuar në detaje rezultatin, duke marrë përgjegjësitë. Do analizojmë humbjet për të nxjerrë mësime, që të ngrihemi dhe të jemi shumë më mirë për të hedhur hapin e radhës në betejën drejt fitores”, theksoi kryetari i opozitës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat