Dhame për Anadolu Agency: Potencialet turistike të Shqipërisë në sytë e të huajve

Shqipëria

Dhame për Anadolu Agency: Potencialet turistike të Shqipërisë në sytë e të huajve

Më: 1 korrik 2015 Në ora: 12:14

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Julinda Dhame, ka dhënë një intervistë për agjencinë e lajmeve Anadolu Agency, mbi turizmin në Shqipëri dhe pritshmëritë për rritjen dhe shtrirjen e tij në rajon.

Dhame ka thënë për AA se duke u nisur nga potencialet e mëdha turistike që ka Shqipëria, promovimi nga kjo agjenci është bërë pak më ndryshe, pasi sipas saj, nuk është menduar të bëhen spotet e zakonshme 30 sekondëshe për Shqipërinë, por kemi preferuar të ftojmë operatorët e huaj turistikë dhe media të huaja që të shohin dhe pasqyrojnë Shqipërinë me sytë e tyre, ashtu siç e shohin dhe e ndiejnë ata.

Ajo shton se ky promovim ka rezultuar deri më sot i suksesshëm, sepse shkrimet që janë publikuar nëpër mediat e ndryshme kanë qenë pozitive për Shqipërinë.

Ndërsa pyetjes se çfarë është e veçantë në Shqipëri dhe kush janë destinacionet turistike, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit i përgjigjet se, “ne kemi të veçantë njerëzit, që është shumë e rëndësishme, kulinarinë, peizazhin, kulturën, por dhe çmimet favorizuese”.

Dhame shprehet edhe për zgjatjen e sezonit turistik. “Kjo do të thotë jo vetëm 45 ditë det, por është edhe turizmi malor, që është pjesë e rëndësishme dhe për turistët. Ne kemi vende dhe male shumë të bukura, siç janë destinacionet Thethi, Valbona, Boga, por kemi edhe lumenjtë, liqenet, siç është lumi i Vjosës, lumi i Osumit, kanionet e Osumit, por kemi dhe Matin, Pukën, vendi mes maleve, liqeni i Ulzës, që është i jashtëzakonshëm, dhe jo vetëm liqenin e Ohrit, Pogradecit. Kemi vende të pazbuluara akoma nga shqiptarët, por edhe nga të huajt. Ne jemi unikë nën pjesën e ofrimit të kapaciteteve akomoduese që është tradita në pjesën e Guest House (bujtinë) dhe sigurisht ushqimi që është një pjesë e rëndësishme sepse është bio. Nuk mund të lë pa përmendur Divjakën dhe plazhet tona të mrekullueshme, Plazhin e Gjeneralit, Gjirin e Lalzit, Kepin e Rodonit, jo ato plazhet e zakonshme që ne ofrojmë tashmë”, shprehet për AA drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit në Shqipëri.

Këtë vit, risi për turizmin në Shqipëri është projekti i qeverisë për hapjen e ishullit të Sazanit. “Ishulli ushtarak”, pas më shumë se 70 vitesh, pritet të jetë një destinacion turistik, i hapur për turistët shqiptarë dhe të huaj, që sigurisht përveç pjesës së kuriozitetit dhe turizmit historik, ofron edhe plazhe të veçanta”, shprehet Dhame.

“Kemi nxitur paketat e përbashkëta turistike me tur operatorët dhe me agjencitë, sepse janë ato që bëjnë paketat turistike dhe shteti shqiptar ka bërë projekte deri më sot me disa shtete, si me Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi, por sigurisht do kemi edhe me Serbinë dhe Greqinë, pra me vendet fqinje. Për turistët aziatikë dhe amerikanë kemi gati një vit e gjysmë që punojmë me këto paketa dhe këtë kemi synim nxitjen, sidomos për pjesën e Azisë në tërësi, Kinës jemi 18 shtete që punojmë së bashku për një paketë të përbashkët. Por sa më e mbledhur të jetë paketa, për shembull për pjesën e Ballkanit, aq më shumë rrihet në një shtet. Ne me pjesën e Ballkanit po punojmë më shumë se gjithë pjesën e Europës. Edhe për në panairet e përbashkëta të turizmit që ne shkojmë, vërejmë se paketa rajonale është ajo më e shitura”, përfundon Dhame.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat