“Rrjeti i Gazetarëve Shqiptar të Politikës” raport për zgjedhjet lokale në Shqipëri

Shqipëria

“Rrjeti i Gazetarëve Shqiptar të Politikës” raport për zgjedhjet lokale në Shqipëri

Më: 1 korrik 2015 Në ora: 12:05

“Rrjeti i Gazetarëve Shqiptar të Politikës” ka përpiluar një raport të detajuar lidhur me zgjedhjet lokale të 21 Qershorit.

Raporti i publikuar nga ky rrjet është i ndarë në tre pjesë, fushatën elektorale, dita e zgjedhjeve dhe numërimi. Sipas raportit, gjatë fushatës elektorale është vënë re sërish fenomeni i kasetave.

“Për fat të keq, edhe në këto zgjedhje u vu re transmetimi i kronikave televizive përmes të ashtuquajturave “kaseta”. Partitë politike vijuan që të dërgojnë të gatshme materialet e tyre, ndërsa nuk pranonin që gjatë takimeve të tyre elektorale të ishin të pranishme mediat me gazetarët dhe operatorët e tyre. Sinkronet televizivë ishin të shkurtuara dhe pamjet të përzgjedhura me kujdes që të tregohej se sheshet ishin gjithnjë të mbushura plot. Po ashtu, lexohet në raport mbetet për t’u debatuar thirrja që Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u bëri mediave në 6 maj 2015, për të mos pranuar të transmetojnë kronika televizive para se të niste zyrtarisht fushata. Fillimisht vullneti për zbatimin e kësaj kërkese e zbatuan televizionet informative Ora Neës, Neës 24 dhe ABC Neës, por kjo jo për shumë kohë, pasi edhe këto televizione filluan transmetimin e aktiviteteve elektorale deri në datën e nisjes zyrtare të fushatës zgjedhore. Gjithashtu, sipas raportit, problematike mbetet akreditimi i gazetarëve” theksohet në raport.

Lidhur me ditën e zgjedhjeve, raporti vë në dukje faktin e problematikës së shfaqur nga disa parti politike lidhur me institucionet që kanë kryer sondazhe. “Gjatë ditës së zgjedhjeve pati incidente në lidhje stafin e zgjedhur nga IPR MARKETING, kompani e kontraktuar nga Ora Neës për kryerjen e sondazheve. Duke iu frikësuar intimidimit të zgjedhësve, stafi i ngushtë i shtabeve elektorale të kandidatëve penguan në kryerjen e punës. Në disa raste pati pengesa edhe për gazetarët e medieve të shkruara”, lexohet në raport.

Proces numerimi kuti votimi Foto Flor AbaziProcesi i numërimit të votave ishte një nga ngjarjet që mori dhe angazhimin më të madh të mediave, vlerëoshet në raport. “Të gjithë mediat si ato të shtypit të shkruar, ashtu dhe ato televizive, kishin gazetarët dhe operatorët e tyre të shpërndarë duke dhënë një pasqyrim të qartë të situatës. Për fat të keq, mbetet ende për t’u bërë në lidhje me kushtet e gazetarëve nëpër qendrat e votimit. Numri i pakët i gazetarëve në media dhe i operatorëve, bëri që jo në të gjitha rastet gazetarët të kishin akreditimet e nevojshme , duke krijuar herë pas here edhe probleme. Zgjidhja u dha nga Komisionet Zonale ose direkt nga KQZ-ja për lejimin e gazetarëve që janë të pajisur me kartat e Medias”, shtohet në raport.

Gjithashtu në raport ka dhe disa sygjerime. Kështu sygjerohet ndryshimi i Nenit 6, të Kodit Zgjedhor, lidhur me mënyrën e akredimit të mediave, të cilat nuk duhet të trajtohen njëlloj si organizatat joqeveritare. Po ashtu, në raport sygjerohet rishikimi nenit 85 për mënyrën e formimit të Bordit të Monitorimit të Medias, ku thuhet se brenda edicioneve informative, gazetarët e kanë të ndaluar propagandën, komentet ose qëndrimet politike.

Në rast shkeljeje, KQZ- ja e gjobit operatorin radioteleviziv vendor me 1,000,000 lekë dhe operatorin radioteleviziv kombëtar me 2,500,000 lekë. Vendimi i KQZ-së përbën titull ekzekutiv dhe zbatohet nga zyra e përmbarimit. Ankimi ndaj vendimit nuk pezullon ekzekutimin e tij. Në rast përsëritjeje të shkeljes, KQZ-ja urdhëron KKRT-në të bëjë bllokimin e transmetimit të operatorit radioteleviziv vendor për 48 orë. Bllokimi vendoset jo më vonë se ora 1800 e ditës pasardhëse. Gjykojmë se kjo dispozitë lë shkak për masa abuzimi si dhe krijon censurë. Një media duhet të pasqyrojë me vërtetësi dhe atë që ajo komenton si këndvështrim të një lajmi, dhe jo atë që thjesht duket për fasadë. Duke pranuar se nuk duhen shprehur qëndrimet politike, mendojmë se nga ana tjetër nuk duhen ndaluar analizat të cilat jo domosdoshmërisht shkojnë në të njëjtën vijë me atë që propagandojnë partitë politike.

“Rrjeti i Gazetarëve shqiptarë të politikës është një organizatë jo-qeveritare, që ka si qëllim rritjen e profesionalizmit në raportimin e lajmeve dhe pasqyrimin e ngjarjeve përsa i përket institucioneve të mëposhtme: Parlamentit, Këshillit të Ministrave, Ministritë, Institucionet e pavarura dhe dhënien e mbështetjes dhe të gjithë garancive të mundshme të gazetarëve në ndjekjen e veprimtarisë të jetës parlamentare pjesëmarrjen në fillimin, zhvillimin dhe promovimin e programeve për rritjen e aftësive profesionale, dhe të rritjes së bashkëpunimit me shoqatat homologe jashtë vendit.

Shoqata “ Rrjeti i gazetarëve shqiptarë të politikës” akreditoi për këto zgjedhje 16 gazetarë të saj për vëzhgimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të datës 21 qershor, 2015. Synimi ishte monitorimi i zgjedhjeve dhe i kushteve të gazetarëve gjatë procesit zgjedhor të 21 qershorit e të ditëve që vijuan më pas, me procesin e numërimit të votave, ku media i kushtoi një vëmendje të posaçme./

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat