Miratohen në parim ndryshimet në ligjin “Për koncesionet dhe partneritetin publik dhe privat”

Shqipëria

Miratohen në parim ndryshimet në ligjin “Për koncesionet dhe partneritetin publik dhe privat”

Më: 1 korrik 2015 Në ora: 12:03

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi të mërkurën në parim ndryshimet në ligjin “Për koncesionet dhe partneritetin publik dhe privat” .

Synimi i projektligjit në fushën e partneritetit publik privat është zhvillimi i sektorit të partneriteteve publike private duke krijuar një mjedis të sigurt, të qëndrueshëm dhe sa më transparent. Koncesionet në këtë projekt janë konceptuar si forma të veçanta të partneritetit publik privat. Duke u nisur nga zhvillimet e viteve të fundit, u vërtetua se koncesionet janë një pjesë integrale dhe e rëndësishme e ekonomisë, por dilte e nevojshme harmonizimi i tyre me partneritetin publik privat.

Përmes këtij projektligji synohet reduktimi i procedurave për dhënien e një partneriteti publik privat, duke eliminuar procedurat e tepërta në fazën përgatitore.

Kështu që në fazën e identifikimit të projekteve, studimit të fizibilitetit dhe deri në vlerësimin e ofertave, procedurat do të kryhen nga një komision i përzgjedhur nga autoriteti kontraktor në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për ekonominë (Njësinë e Trajtimit të Koncesioneve /Partneriteteve Publike Private) dhe brenda 60 ditëve nga krijimi i këtij komisioni kryhen të gjitha procedurat e sipërpërmendura. Ky afat mund të shtyhet për shkaqe të kompleksitetit të projektit jo më shumë se 30 ditë.

Po ashtu në p/ligj parashikohet zgjerimi i fushës së veprimit. Në ligjin ekzistues nuk është përfshirë si fushë e veprimtarisë sektori i bujqësisë. Nëpërmjet këtij ndryshimi është bërë i mundur zhvillimi i projekteve në fushën e bujqësisë nëpërmjet partneritetit publik privat. Projektet për prodhimin e energjisë elektrike nga hidrocentralet, të cilat përjashtoheshin nga ligji ekzistues, sipas ndryshimeve të propozuara me këtë
projektligj do të kryhen në përputhje me procedurat e parashikuara në këtë ligj, përveç atyre me kapacitet të instaluar nën 2 MW.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat