Beketi nuk pagoi taksat e pajisjeve të Agon Channel

Shqipëria

Beketi nuk pagoi taksat e pajisjeve të Agon Channel

Më: 1 korrik 2015 Në ora: 11:19

Doganat shqiptare pritet të përballen këto ditë në Gjykatën Administrative të Apelit me përfaqësuesit e kompanisë Agonset të Françesko Beketit për një detyrim të papaguar të TVSH mbi pajisjet televizive të Agon Channel.

Doganat kanë apeluar vendimin e shkallës së parë, të marrë nga gjyqtarja Elda Vrioni, i cili favorizon Beketin për të mos e paguar detyrimin që shkon afërsisht në 1.2 milionë euro.

Por si ka mundësi që një gjykatë ka përjashtuar një televizion nga një detyrim i tillë, ndërkohë që prej 17 vjetësh të gjithë transmetuesit audio- vizivë në Shqipëri paguajnë TVSH për pajisjet që importojnë për aktivitetin e tyre?

Kësaj pyetje vështirë t’i japë përgjigje çdo jurist që njeh ligjislacionin shqiptar.

Por gjyqtarja Vrioni ka shkuar shumë larg me vendimin që ka dhënë në korrikun e vitit të kaluar.

Shoqëria Agonset, brenda rregullave të shtetit shqiptar, i ka kërkuar doganave shqiptare të bëjë një shtyrje një vjeçare të pagesës së TVSH për pajisjet e importuara dhe ka nënshkruar një marrëveshje në bazë të ligjit për këtë.

Agonset i ka vënë në punë pajisjet dhe dogana ka pritur fundin e vitit për të arkëtuar tatimin prej 20 përqind mbi vlerën e mallit të importuar.

Por kur ka ardhur data e pagesës, padroni i Agon Channel ka refuzuar të shlyejë detyrimin. Në këtë situatë, çështja ka kaluar në gjykatë, aty ku avokatët e Françesko Beketit dinë të manovrojnë mjaft mirë.

Beketi nuk pranoi ta paguante detyrimin, duke pretenduar se ligji për TVSH përjashton nga ky detyrim ato pajisje dhe makineri për të cilat vlera e investimit i kalon 50 milionë lekë të reja.

Por a bëjnë pjesë pajisjet televizive në këtë përjashtim?

Duke qenë se një ligj i tillë, i bërë për të nxitur investimet, mund të ngjallte keqkuptime, ligjvënësi kishte ngarkuar Këshillin e Ministrave për të hartuar një listë konkrete të atyre pajisjeve dhe makinerive që përfitonin nga ky përjashtim. Pra përveç shumës prej 50 milionë lekësh, u përcaktuan me VKM-në 180 të vitit 2013 edhe se kush ishin pajisjet konkrete që parashikonte ligji. Në këtë listë, pajisjet për transmetimet audiovizive as nuk ishin dhe as nuk janë.

Po si ka mundësi që gjykata dha një vendim që e përjashtonte Agon Channel nga ky detyrim?

Dosja në fjalë ra në duart e gjyqtares Elda Vrioni, e cila do të mbahet mend gjatë për vendmin që dha. Për t’i dhënë të drejtë kompanisë Agonset, gjyqtarja Vrioni bëri një interpretim në bazë të të cilit ajo i dha vetes kompetencat e Këshillit të Ministrave.

Sipas saj, meqenëse pajisjet radiotelevizive nuk ishin në listën e vendimit nr. 180, kjo nuk do të thoshte që ato nuk duhet të ishin.

Pra, në rolin e kryeministrit tashmë dhe të kabinetit qeveritar, gjyqtarja Vrioni vendosi të ndryshojë listën e makinerive dhe pajisjeve të përcaktuara nga ekzektuivi.

Me këtë vendim, të gjithë transmetuesve televizivë, por jo vetëm atyre, por çdo lloj investitori tjetër, pajisjet e të cilit nuk përfshihen në listën e Këshillit të Ministrave, i lind e drejta të mos paguajnë TVSH për vlerat mbi 50 milion lekë.

Për këtë arsye, doganat shqiptare e kanë kundërshtuar vendimin e shkallës së parë dhe tashmë presin përballjen në Apel për të kthyer në arkën e shtetit 1.2 milionë euro detyrime për pajisjet me të cilat transmeton programet e tij Agon Channel./ABC

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat