Avioni me drogë në Divjakë, sot gjyqi për Riformaton

Shqipëria

Avioni me drogë në Divjakë, sot gjyqi për Riformaton

Më: 1 korrik 2015 Në ora: 10:54

Piloti italian, Giorgio Riformato dhe katër bashkëpunëtorët e tij të akuzuar për trafik droge, pritet të paraqiten sot për herë të dytë para trupës gjyqësore. Seanca e parë gjyqësore për çështjen e “Divjakës” më 17 qershor, u shty për t’u mbajtur sot në orën 15:00 të mesditës.

Shkak i shtyrje u bë një gabim në prokurë i njërit prej avokatëve të të pandehurve, i cili nuk kishte shënuar datën dhe orën e saktë për përfaqësimin e klientit të tij.

Piloti italian Riformato drejtonte avionin me 300 kg kanabis, i cili u rrëzua në plazhin e Divjakës më 10 maj të vitit të kaluar.

Së bashku me të për gjykim janë dërguar edhe shtetasit Sajmir Bajrami, Kleviol Ahmeti, Aurel Pupe dhe në mungesë shtetasit, Mareglen Ymeraj, Kristian Demçe dhe Orgest Bilbili.

Sipas hetimit, shtetasit Sajmir Bajrami dhe Giorgio Riformato kanë hyrë nga Italia në Shqipëri pak ditë para ngjarjes dhe nëpërmjet të pandehurve të tjerë, dyshohet se kanë siguruar lëndën narkotike, e cila do të trafikohej drejt Italisë nëpërmjet një avioni sportiv, të drejtuar nga piloti italian.

Avioni i drejtuar nga shtetasi Riformato është gjetur i ulur në zonën e plazhit të Divjakës, me një rrotë të thyer, në pamundësi për t’u ngritur. Pranë avionit, nga ana e forcave të policisë janë gjetur disa çanta, në përbërje të të cilave sipas ekspertizës së mëvonshme, rezultonte se ishin 94 kilogramë kanabis sativa.

Në vijim të veprimeve policore, u arrit të zbuloheshin edhe disa çanta të tjera me 211.8 kg kanabis, në një rrugë në afërsi të vendit ku gjendej avioni, në automjetin tip “Mitsubish”, të drejtuar prej Sajmir Bajramit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat