Moisiu: Kritikat për zgjedhjet, vëzhguesit mund të bëhen qesharakë

Shqipëria

Moisiu: Kritikat për zgjedhjet, vëzhguesit mund të bëhen qesharakë

Më: 1 korrik 2015 Në ora: 09:17

Ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, vlerëson zgjedhjet e 21 qershorit si më të mirat të zhvilluara që nga viti 1994, ndërsa u bën apel ndërkombëtarëve të jenë të kujdesshëm me deklaratat e tyre kritike.

Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Moisiu e konsideron të rëndësishëm vijimin e procesit të dekriminalizimit, por edhe për këtë çështje ai thekson se politika duhet të tregohet e kujdesshme për të gjykuar mbi bazën e vendimeve gjyqësore, jo akuzave politike. Ish-Kreu i Shtetit komenton pritshmëritë nga ndarja e re territoriale, por edhe nevojën për ndërhyrje në strukturat e menaxhimit të zgjedhjeve.

Zoti Moisiu si i vlerësoni zgjedhjet vendore që sapo përfunduan?

Për mendimin tim, këto zgjedhje kanë qenë nga më të mirat në vendin tonë, përjashto ato të vitit 1991-1992, që megjithëse ishin fillimi i demokracisë, kanë qenë shumë të mira. Por nga viti 1994 dhe këtej këto kanë qenë ndër zgjedhjet më të mira. Sigurisht kjo tregon dhe rritjen e pjekurisë të vetë shqiptarëve që tani i njohin më së miri të drejtat dhe detyrimet e tyre. 25 vjet kanë bërë punën e tyre për formimin e mentalitetit demokratik të njerëzve tanë. Në të njëjtën kohë dhe institucionet që merren me përgatitjen e mbikëqyrjen e zgjedhjeve, kanë filluar të funksionojnë më mirë. Kjo nuk do të thotë se nuk ka pasur të meta, gjithmonë duke bërë krahasimin me zgjedhjet e kaluara, por në këto zgjedhje nuk kemi pasur probleme madhore dhe incidente, apo vrasje si herët e kaluara. Jo vetëm kaq, por edhe fushata zgjedhore ka qenë më civile, nuk ka pasur ofendime apo një zhargon të rëndë, siç është përdorur zakonisht në zgjedhjet tona më parë.

A kishte kjo fushatë modele që duhet të ndiqen dhe në gara të tjera elektorale?

Ka pasur disa modele shumë pozitive, sidomos në Tiranë. Por mos harrojmë, Tirana është 1/3 e Shqipërisë. Pra zhvillimi apo prapambetja, në radhë të parë duket në Tiranë. Sigurisht Tirana nuk krahasohet me të tjerat, me periferinë, por vetëkuptohet që ata vijnë tek Tirana, nuk shkon Tirana tek ata dhe kjo është e rëndësishme.

Si i konsideroni deklaratat e përsëritura të faktorit ndërkombëtar, veçanërisht ambasadorit Lu, mbi dekriminalizimin?

Unë këtë fushatë e kam mbështetur që në fillim, si në takimet, ashtu edhe tryezën që bëri Forumi Civil për problemet zgjedhore, ku ishte prezent dhe ambasadori amerikan, Donald Lu. Por dua të shtoj se tek ne është vështirë të saktësohet vërtetësia e akuzave për njerëzit, të cilët kanë qenë emigrantë. Dihet se jashtë vendit, veçanërisht vitet e para, ndaj shqiptarëve ka pasur një mentalitet shumë negativ, edhe pa bërë gjë, mjafton që të ndodhte diçka dhe shqiptarët i ndalonte policia edhe pa pasur akuza direkte apo fakte. Pra bëhej një profilaktikë ndaluese në masë ndaj djemve të rinj me origjinë shqiptare, me të drejtë dhe pa të drejtë. Kur vinte puna te vendimi gjyqësor, sqarohej situata, kush kishte apo nuk kishte faj, por ama burgun e kishin ngrënë.

Këtë mund ta them nisur edhe nga një ngjarje që kam pasur kur kam qenë në detyrën e Kryetarit të Shtetit. Ishte një djalë që kishte qenë emigrant në Itali, të cilin e mora në stafin tim. Por doli në shtyp sikur ai kishte qenë në burg dhe ishte pleksur në probleme me mafian, për këtë fakt e largova. E largova, jo sepse ai kishte qenë arrestuar, sepse ai ishte ndaluar bashkë me 40-50 veta, që ishin futur në burg si rezultat i një bastisje, por më pas u seleksionuan dhe atë e liruan, pasi nuk kishte pasur lidhje fare me të tjerët, por për mungesë sinqeriteti. Pra dua të them, që në këtë drejtim duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sepse në tërësi këtu tek ne, për qëllime politike, disa njerëzve u atribuohen gjëra që nuk ekzistojnë, pasi në fund të fundit nuk mund të akuzosh tjetrin pa një vendim gjykate.

E vlerësoj ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, veçanërisht të ambasadorit Lu për pastrimin e politikës. Është një gjë e mirë dhe duhet vazhduar, sepse kemi procese gjyqësore që janë mbyllur dhe nuk dihet si janë mbyllur. Çfarë janë këta? Janë vrarë njerëz dhe akoma nuk del përgjegjësia, askush nuk përgjigjet para drejtësisë. Nisur nga këto fakte, kjo punë duhet vazhduar, por sigurisht jo çdo gjë që thuhet duhet të pranohet qorrazi. Njeriun nuk mund ta marrësh në qafë. Duhet vepruar në bazë të dokumenteve, në bazë të vendimeve gjyqësore. Sigurisht në 61 kryetarë bashkie që i duhen Shqipërisë duhen gjetur njerëzit më të mirë dhe nuk ke pse gjen njerëz me cene, por edhe kjo nuk duhet absolutizuar.

Raporti paraprak i OSBE/ODHIR ishte mjaft kritik...

Kur e dëgjova këtë raportim isha me një mikun tim dhe pa dashje qesha. I thashë nuk di pse, por kjo mënyrë konstatimi më solli në mëndje një barsoletë të vjetër ushtarake. Njëherë, një gjeneral shkon për të inspektuar një njësi ushtarake. Sipas rregullit e pret komandanti i njësisë. Gjenerali i thotë - dua të më përgatisni një çadër të pajisur më së miri. Njësia ndodhej e vendosur në fushim ushtarak. Tre ditë e tre net gjenerali qëndroi atje, hëngri, piu, fjeti dhe pastaj dha urdhër - mblidhuni t’u jap konkluzionet. Komandanti i habitur i thotë, - zoti gjeneral, ti tre ditë ndenje brenda, nga i nxore këto konkluzione? Ai i tha, - komandant e sheh këtë bllokun, është i 1920-s, ato gjëra janë prapë.

Por ndërkohë mendoj se me kalimin e kohës shumë gjëra kanë ndryshuar, ecën koha dhe shqiptarët pas 25 vjetësh nuk janë ata që kanë qenë. Demokracia jonë akoma është e brishtë, akoma ka defekte, por mos harrojmë se problemet në proceset zgjedhore ndodhin edhe në vendet e zhvilluara demokratike. Më kujtohet kur u zgjodh Bushi president dhe atje u përfol procesi, pra janë gjëra që edhe ndodhin. Mundet që përparimi nuk është ai që duhet të jetë, por jo dhe kështu. Gjykoj që edhe me këto raportet duhet bërë kujdes, këtë e kam apel ndaj ndërkombëtarëve. Njerëzit tanë janë zhvilluar, rinia në mënyrë të veçantë është shkolluar dhe i njeh shumë mirë gjërat. Tjetër punë që në realizimin e zgjedhjeve ka dhe mangësi, kuptohet, por ama nuk jemi më në ato nivele që kemi qenë.

Mendoni se edhe raporti përfundimtar do të jetë i tillë?

Unë atë barsoletë nuk e përmenda kot. Edhe ndërkombëtarët kur bëjnë deklarata duhet të jenë më të kujdesshëm. Në kohën e sotme zhvillimi i intelektualëve, politikanëve, medias shqiptare dhe i popullit në tërësi është në një nivel tjetër. Duke bërë deklarata të pabazuara dhe të pamenduara mirë, mund të bëhen dhe qesharakë. Nëse ka akuza, ato duhen faktuar, dhe jo - kështu na thonë- e të tjera shprehje të këtij lloji.

Një nga vërejtjet e raportit fokusohej tek komisionerët. A ka ardhur momenti që të kemi komisionerë jopolitikë?

Këtë e kemi ngritur dhe në tryezën që organizoi Forumi ynë në muajin maj, kur u diskutuan problemet e zgjedhjeve. Kjo duhet patjetër. Nuk duhet të kenë punë partitë me komisionerët. Komisionet zgjedhorë janë administratë e përkohshme e shtetit. Partitë nuk kanë pse ngatërrohen në këtë mes, boll me këto praktika. Kemi njerëz plot, arsimtarë, gjyqtarë të cilët janë njerëz të përgatitur, të ndershëm dhe me integritet. Arsimtarët janë një armatë e tërë sa të bësh dy palë komisione, jo një palë. Kjo është e domosdoshme. Edhe puna e Komisionit Qendror Zgjedhor duhet parë mirë. Atje duhet të ketë njerëz të caktuar nga shteti që duhet të bëjnë detyrën e tyre. Është një reformë që duhet filluar. Për shembull kur u fol për reformën e energjisë elektrike, të gjithë thanë çfarë po bëhet kështu, ndërsa tani të gjithë janë dakord. E more energjinë, paguaj. Mirëpo ky koncept tani u rivendos. Sigurisht për shtresat në nevojë, qeveria duhet të marrë masa shtesë, niveli i përgjithshëm i varfërisë në Shqipëri është goxha i lartë.

Tashmë do të kemi 61 bashki, mendoni se kryebashkiakët e rinj do të mund ta kryejnë si duhet punën?

Unë kam qenë në përkrahje të kësaj reforme dhe jam. Por puna do njeriun e përshtatshëm. Ideja e kësaj reforme është pozitive dhe e domosdoshme. Pres që kjo të japë rezultatet e saj në zhvillimin e vendit. Por sigurisht njerëzit e ngarkuar me detyra shtetërore duhet ta bëjnë punën si duhet. Nëse kemi dy makina të njëllojta dhe dy shoferë, por njëri është i kujdesshëm dhe tjetri jo, atij që kujdeset makina i shkon 5 vjet, ndërsa tjetrit i shkon 5 muaj. Këto gjëra janë të njohura. Edhe për bashkitë, duhen gjetur njerëzit e duhur që edhe ata të zgjedhin stafin e duhur, të përshtatshëm për punën e tyre. Jo për të marrë rrogën, jo për militantizëm, por në bazë të formimit të tyre profesional. Të funksionojë realisht meritokracia, në vendin tonë tani kemi shumë njerëz, mjafton të zgjidhen ata që i duhen punës.

Në këto zgjedhje duket se nuk munguan disa surpriza në rastin e këshillave, në një prej tyre ka përfaqësues nga plot 24 parti. Mund të konsiderohet pozitive kjo?

Kjo më duket një nga gjërat më negative. Kam qenë me kohë i mendimit që duhet të kemi një fletë votimi, me votat që merr kandidati të caktohen dhe këshilltarët. Po të shikosh procesin, numërimi i votave për kandidatët u bë shumë shpejt dhe në rregull. Problemet u krijuan me këshilltarët, sepse aty fillojnë interesat personale. Jam i mendimit se politika ka për detyrë ta lexojë mirë dhe me përgjegjësi votën e shqiptarëve. Shqiptarët me votën e tyre folën hapur, thjesht, me përgjegjësi dhe mençuri. Pamë që në disa vende që ishin tradicionalisht të majta nuk fituan kandidatët e majtë. Pse, sepse nuk kanë qenë të përshtatshëm, pavarësisht se çfarë thuhet tani, tradhtoi ky apo ai. Këto janë gjepura. Njerëzit duhet të kenë në krye një njeri tek i cili kanë vërtet besim.

“Korrupsioni dhe politikat tatimore, të metat e qeverisjes që duhen korrigjuar”

Ish-Kreu i Shtetit kritikon qëndrimet politike të kryetarëve të partive, të cilët edhe në zgjedhjet vendore u fokusuan tek politikat kombëtare e ndërsa vë theksin tek të metat që duhet të korrigjohen nga qeverisja.

Mendoni se liderët e partive politike luajtën rolin e duhur në këto zgjedhje vendore?

Këto ishin zgjedhje vendore, ndërsa fushata e kryetarëve të partive u bë politike, u diskutua për probleme të ekonomisë, shëndetësisë. Kryetari i bashkisë nuk mund të ndikojë në zhvillimin ekonomik të vendit, normalisht mund të ndikojë në zhvillimin ekonomik të bashkisë, por edhe kjo nuk është e qartë deri ku, pasi akoma nuk i kemi të njohura kompetencat e kryetarëve të rinj të bashkive, sipas reformës së re territoriale. Besoj se duhet të kenë kompetenca më të mëdha sesa deri tani. Kryetari i bashkisë së Tiranës ka peshë më shumë se një ministër, ndaj nuk mund dhe nuk duhet të ketë kompetenca të thjeshta.

Në këtë fushatë, në mënyrë të veçantë, për fat të keq, opozita pati një theks të rënduar për problemet ekonomike dhe të jepte përshtypjen sikur ishin zgjedhje politike. Mbase kjo është një nga arsyet që ajo pësoi këtë disfatë. Sepse që të jem i sinqertë, prisja më shumë rënie të mazhorancës, pasi reformat gjithmonë krijojnë pakënaqësi dhe ka pasur reforma të forta. Reforma e energjisë elektrike, pensioneve, reforma e pushtetit vendor, janë reforma shumë të forta. Normalisht mund të kishte rënie, por nuk pati. Kjo do të thotë se shqiptarët nuk janë budallenj, shqiptarët e kuptojnë se disa reforma duhen bërë nëse duam të kemi shtet, nëse duam të ecim drejt Evropës, nëse duam të kemi siguri më të lartë.

Disa gjëra duhen bërë, që edhe ne të kemi zhvillim si pjesët e tjera të Evropës. Sigurisht mazhoranca është ende larg premtimeve të saj. Por mendoj se ka edhe dy vjet akoma, por ama ka edhe gjëra që nuk bëhen as për katër vjet,pasi gjatë këtyre 25 vjetëve janë bërë shumë gropa, të shkaktuara qoftë nga e majta apo nga e djathta. Të dy palët kanë përgjegjësinë e tyre, por ato gropa duhen mbushur, ndryshe nuk na qasin në Europë. Unë shpresoj se kjo mazhorancë do të ecë përpara në kuadër të atyre premtimeve dhe sigurisht të korrigjojë dhe të metat e saj, se ka dobësi që duhen rregulluar me patjetër.

Cilat janë ato?

Fakti që akoma ka korrupsion, përgjegjësinë kryesore e ka aparati, administrata. Fakti që nuk po grumbullohen të ardhurat tregon që politika e tatimeve dhe njerëzit e ngarkuar me këto detyra nuk janë në rregull, se administrata që merret me problemet tatimore nuk po realizon si duhet detyrën e saj. Janë miliona euro që nuk i grumbullon dot shteti. Shkon në mjaft lokale të shërbimeve të ndryshme, nuk të jep njeri faturë tatimore, ke shtëpi që janë dhënë me qira dhe nuk paguan njeri taksa, ke problemet me turizmin, shtëpitë që jepen me qira gjatë kësaj kohe nuk paguajnë asnjë lloj tatimi, madje dhe hotelet bëjnë evazion.

Politika e TVSH-së, për shembull, nuk duhet të jetë rrafsh në të gjitha rastet, duhen politika inkurajuese, në disa drejtime për shembull duhen ulur. Por edhe qytetari që të kërkojë faturën duhet të ketë një lloj përfitimi, pasi ai thotë pse të bëj sherr me shitësin kur nuk kam gjë për vete. Ndërgjegjja e qytetarit është njëra anë, por ajo duhet mbështetur me masa praktike, që ne si qytetarë të kemi shtysë për të kërkuar llogari. Njerëzit e ngarkuar për këto punë duhet ta vrasin mendjen më shumë për këto probleme, boll me parada tam-tamesh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat