Kuvendi diskuton për krizën greke, Kokëdhima kërkon seancë

Shqipëria

Kuvendi diskuton për krizën greke, Kokëdhima kërkon seancë

Më: 1 korrik 2015 Në ora: 08:16

Kryetari i komisionit parlamentar të Ekonomisë, Erjon Braçe informoi këtë të martë deputetët se autoritetet më të larta financiare të vendit janë duke mbikëqyrur hap pas hapi situatën në Greqi.

“Komiteti i Stabilitetit Financiar është mbledhur në mënyrë konstante, më shumë nga sa e parashikon rregullorja. Gjithashtu ka qëlluar që e gjithë situata të monitorohet në detaj nga FMN, i cili po asiston qeverinë shqiptare në këtë proces”, – deklaroi Braçe.

Sipas tij, edhe në rast se kriza në Greqi do të përshkallëzohet, qeveria dhe Banka e Shqipërisë i kanë të gjitha instrumentet për të mbrojtur ekonominë kombëtare.

“Ka një plan shumë të qartë veprimesh dhe masash nga Banka Qendrore dhe institucionet e tjera, kështu që nuk ka arsye as për panik dhe as për shqetësime, që më pas marrin doza politike”, theksoi Braçe. Ndërkohë deputeti Kokëdhima kërkoi që të mbahej një seancë e posaçme për krizën greke, ndërsa Braçe u përgjigj se nuk duhet krijuar panik i tepërt.

Edhe ministri i Financave, Shkëlqim Cani i garantoi deputetët se nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar, veçanërisht në planin financiar.

“Kemi siguri maksimale të paktën në drejtimet tona, sidomos për sistemin bankar. Ne në Shqipëri jemi mësuar të themi ‘bankat greke’, por ato janë banka shqiptare me kapital grek, që nuk kanë asnjë lidhje me Greqinë, përveç aksioneve ose pronësisë”, – deklaroi Cani.

Ekspertët bien dakord se Shqipëria nuk rrezikon në sistemin financiar. Por deputeti i PD-së, Sherefedin Shehu tha se thellimi i krizës në Greqi mund të godasë rritjen ekonomike të vendit tonë. “Bankat të ashtuquajtura ‘greke’ nuk përbëjnë rrezik për qytetarët, kjo është e vërtetë. Por nuk mund të mos marrim në konsideratë mundësinë që Shqipëria të zhvlerësohet dhe që kolapsi i mundshëm i Greqisë nuk mund të kalojë pa u ndjerë në Shqipëri. Unë mendoj se efekti i parë do të jetë në rritjen ekonomike të vendit”, – deklaroi Shehu.

Komisioni parlamentar i Ekonomisë miratoi një ligj, që autorizon ministrin e Financave të marrë borxh në tregun ndërkombëtar përmes eurobondit.

Qeveria ende nuk e ka përcaktuar shumën që do të marrë, por ministri Cani tha se ky operacion nuk e rrit borxhin publik të vendit, por thjesht zëvendëson një borxh ekzistues duke ulur interesat e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat