Humbja, ndryshime në degët e PD-së në rrethe

Shqipëria

Humbja, ndryshime në degët e PD-së në rrethe

Më: 1 korrik 2015 Në ora: 08:08

Humbja e thellë e zgjedhjeve të 21 qershorit do të shoqërohet me ndryshimin e disa prej drejtuesve të Partisë Demokratike në rrethe. Rokada e drejtuesve të degëve pritet të bëhet për të gjithë kryesitë e rretheve që në zgjedhjet lokale humbën me rezultat të thellë votash përballë koalicionit të majtë. Fillimi i ndryshimeve pritet të nisë në shtator, pas analizës që do të bëjë kryesia qendrore për humbjen e zgjedhjeve lokale. Burime nga PD-ja bëjnë të ditur se në disa rrethe kryesitë e degëve kanë shfaqur pakënaqësi me kryetarët e tyre pas rezultatit që mori PD-ja.

Disa nga drejtuesit e degëve, pas zgjedhjes në postet drejtuese, kanë deklaruar se nëse PD-ja nuk del forcë fituese në degët e tyre, do të japin dorëheqje nga posti. Burimet bëjnë të ditur se tashmë kanë nisur lëvizjet për të gjetur emrat e rinj që do të drejtojnë degën e Vlorës, Durrësit, Fierit, Gjirokastrës, Elbasanit dhe Korçës. Madje në degën e PD-së në Durrës dhe Vlorë tashmë mësohet se një pjesë e kryesisë kanë nisur “fushatën” për të gjetur zëvendësuesit e kryetarëve dhe sekretarit aktual të degëve. Bëhet e ditur se pjesë e këtyre lëvizje janë edhe anëtarë të kryesisë, të cilët kanë ndihmuar kryetarët e degëve për t’u vënë në krye të PD-së.

Shkelja e statusit

Një vit më parë, kreu i PD-së Lulzim Basha, në shkelje me statutin e partisë, zgjodhi kryetarët e degëve, pa marrë më parë pëlqimin e kryesive për emrat e zgjedhur. Edhe pse në plan të parë gara u duk e ndershme, në fund ishte Basha që bëri publikimin e emrave, të cilët u kontestuan nga anëtarët e kryesive në rrethe, por në fund u detyruan të “mbyllin” sytë dhe të bashkëpunojnë me ata në zgjedhjet lokale. Në të njëjtën mënyrë, në shkelje të statutit, Basha emëroi dhe sekretarët e partisë në 53 degët e saj në të gjithë Shqipërinë. E

dhe gjatë emërimit të sekretarëve të degëve, në prani të grupit parlamentar të PD-së dhe anëtarëve të Këshillit Kombëtar, kreu demokrat zgjodhi emrat e tyre, të cilët sipas tij, përfaqësonin vlerat dhe ishin më të pranueshmit për t’i sjellë fitoren demokratëve. Si kryetarët e zgjedhur të rretheve, edhe sekretarët, qenë të bindurit e frymës së re që Basha përfaqëson, por rezultatet zhgënjyese në Durrës, Vlorë, Elbasan e Korçë, por dhe në disa degë të vogla, kanë sjellë pakënaqësi si në bazë dhe në “selinë blu”, ku zërat e eksponentëve të lartë të PD-së kanë nisur të kërkojnë “ndëshkimin” e humbësve.

Gjatë ditës së sotme në mbledhjen e parë të grupit parlamentar të PD-së, pas zgjedhjeve vendore, krahas rezultatit të zgjedhjeve, pritet të diskutohet edhe çështja e kryetarëve të degëve në rrethe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat