LSI kërkon pavlefshmëri për Vorën, sot shqyrtimi

Shqipëria

LSI kërkon pavlefshmëri për Vorën, sot shqyrtimi

Më: 1 korrik 2015 Në ora: 07:56

Lëvizja Socialiste për Integrim ankimoi pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rezultatin e zgjedhjeve vendore në bashkinë e Vorës, që nxori fitues kandidatin e djathtë, Fiqiri Ismailin.

LSI kërkon shpalljen si të pavlefshme të zgjedhjeve në të paktën 18 qendra votimi në bashkinë Vorë. Në kërkesën ankimore që kjo forcë politike depozitoi në KQZ, pretendohet se humbja e kandidatit të Aleancës për Shqipërinë Evropiane, Luan Sallaku, lidhet me listat fiktive të zgjedhësve në këtë bashki. Në kërkesën e LSI-së evidentohen dokumentet përkatëse, ku sipas kësaj force politike, vërtetohet regjistrimi i qytetarëve në mënyrë të paligjshme, ndërkohë që i janë drejtuar edhe prokurorisë për të hetuar rreth kësaj çështje, nga ku është mbledhur informacioni i nevojshëm që vërteton këtë pretendim.

Ankimi i LSI-së u pranua unanimisht nga trupa e KQZ-së dhe do të shqyrtohet ditën e sotme, ndërsa relatore e kësaj çështje është Vera Shtjefni. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ankimimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim i përmbush të gjitha rregullat. Ankimi i LSI-së ishte paralajmëruar nga kjo forcë politike, e cila edhe më herët ka bërë kallëzim në Prokurorinë e rrethit të Tiranës për regjistrimin e rreth 600 shtetasve. Ndërkohë në bazë të tabelës së rezultateve të KZAZ 26 të bashkisë së Vorës, është shpallur fitues kandidati i së djathtës Fiqiri Ismaili, i cili rezulton të ketë marrë 8183 vota, ndërsa kandidati i së majtës Luan Sallaku ka marrë 7925 vota, pra me një diferencë prej 258 votash. “Në disa qendra votimi ka pasur votues fiktivë.

Në Vorë rezulton se nga 29.9.2014 - 12.5.2015 janë regjistruar 745 shtetas, nga të cilët 587 ishin persona me të drejtë vote. Lejet e banimit për ta janë dhënë në kundërshtim me ligjin, ndërsa deklaratat noteriale janë bërë nga punonjës të bashkisë”, thuhet në ankimimin e LSI-së për zgjedhjet për bashkinë e Vorës. Kjo çështje pritet mjaft me interes për shkak se çështja e votuesve të Vorës, sikundër Durrësi dhe Kavaja, është duke u hetuar nga prokuroria. Kërkesa e LSI-së për Vorën spikat në rreth 80 kërkesa ankimore që kanë mbërritur në KQZ. Ndonëse zgjedhjet vendore kanë përfunduar prej më shumë se një jave, KZAZ-ja e Vorës e ka mbajtur peng certifikimin e rezultatit për bashkinë. Pas kontestimit të LSI-së dhe denoncimit të “trafikimit” të 600 votuesve, gjysma e anëtarëve të KZAZ-së të Vorës nuk firmosën rezultatin.

Çështja e Vorës është diskutuar edhe më përpara në KQZ, kur janë thirrur edhe drejtues të Gjendjes Civile, por u kërkua kohë, për të mbledhur të dhënat dhe për të bërë një raport më të detajuar. “Vora”, Prokuroria u dërgon fletë thirrje 150 familjarëve Pasi KQZ-ja pranoi të marrë në shqyrtim ankimimin e LSI-së për pretendimet e saj se në Vorë ka votues fiktivë, Prokuroria e Tiranës bëri me dije detaje rreth hetimeve të nisura për banorët fiktivë të regjistruar. Prokuroia bën me dije se në harkun kohor të gjashtë muajve të fundit, kanë aplikuar për shpërngulje në Vorë rreth 150 familje, me rreth 600 banorë.

Ai që bëhet me dije jo zyrtarisht është fakti prokuroria ka verifikuar kontratat noteriale të 150 familjeve të shpërngulura në Vorë, dhe iu është dërguar fletëthirrje kryefamiljarëve të tyre, për të dhënë dëshminë në prokurori, por ka rezultuar se shumica prej tyre, sipas organit të akuzës, rezultojnë të jenë me adresa fiktive. Prokuroria ka lëshuar një urdhër delegimi për policinë e shtetit, së cilës i kërkohet të verifikojë në terren adresat në fjalë. Hetimet për banorët fiktivë në Vorë nisën pas denoncimeve nga LSI e cila akuzoi kreun aktual të bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili, se po regjistronte votues fiktiv në Vorë, me qëllim blerjen e votës.

Nga 600 emra të denoncuar si të regjistruar fiktivë në Bashkinë Vorë, prokurorët kanë mundur të mësojnë se për një pjesë të madhe, bëhet fjalë për emigrantë. Prokurorët janë shprehur se do të verifikojnë në terren nëse në banesat e dhëna me qira jetojnë apo jo familje. Një tjetër çështje që pritet të zbardhet është edhe fakti nëse një kontratë qiraje është dhënë më shumë se 2 herë në emër të një familjeje.

Protestat e simpatizantëve të LSI-së në Vorë

Simpatizantët e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Vorë për disa ditë resht organizuan protesta kundër rezultatit të zgjedhjeve lokale të 21 qershorit në këtë njësi vendore, që shpalli fitues Fiqiri Ismailin, kandidatin e Partisë Demokratike. Në një prej kutive në qendrat e votimit në këtë njësi vendore dolën vota më shumë se sa numri i votuesve në lista, e duke marrë shkas nga kjo, mbështetësit e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Vorë pretendojnë se kemi të bëjmë me manipulim të votave.

Protestuesit u tubuan në qendër të qytetit, duke kërkuar rishqyrtim të materialeve në këtë kuti dhe përsëritje të zgjedhjeve ne Vorë. Fiqiri Ismaili i Partisë Demokratike fitoi me 50.45 % të votave kundrejt kandidatit të ASHE-së, Luan Sallaku, i cili mori 49.55% të votave. Ndërkohë që vetë ky i fundit deklaroi se do të ndjekë të gjitha hapat e nevojshme ligjore për të çuar të drejtën në vend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat