Halimi: PD analizë të thellë, një grup pune do kalojë në sitë çdo Bashki

Shqipëria

Halimi: PD analizë të thellë, një grup pune do kalojë në sitë çdo Bashki

Më: 30 qershor 2015 Në ora: 23:34

Partia Demokratike do të nisë një analizë të thellë për të evidentuar gjërat që nuk shkuan në zgjedhjet e 21 qershorit.
Në një intervistë në studion e lajmeve të Ora News, përballë gazetares Klementina Cenkollari, deputeti demokrat Eduart Halimi tha se do të ngrihet një grup pune që do të kalojë në sitë çdo njësi bashkiake.
Halimi: “Do të jetë një proces analize e thellë që do fillojë nga seksionet deri tek drejtimi i tyre. Do ketë një grup pune që do të merret me analizën e çdo Bashkie, çdo njësie zgjedhore për të gjetur edhe pikat e dobëta”.
Po çfarë qëndrimi mban Halimi ndaj kritikave të ngritur nga deputetja demokrate Jozefina Topalli?
Halimi: “Çdo njeri është i lirë të bëjë komentet, diskutimet e veta. Thelbi i PD është fjala e lirë dhe nëse nuk ekziston fjala e lirë në forumet e PD çfarë mund të preshësh pastaj më pas dhe çfarë mund të kërkojë PD më shumë?”
Duke i konsideruar zgjedhjet e 21 qershorit të manipuluara nga mazhoranca, deputeti demokrat bëri me dije se PD është duke hartuar një raport për të faktuar shkeljet që sipas tyre janë bërë gjatë proçesit zgjedhor.
Më herët PD publikoi një video përmes të cilës pretendohet se në komunën Pult të bashkisë së Shkodrës, komisionerët e PS-së kanë mbushur me vota fiktive kutitë e votimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat