Becchetti në gjyq, nuk pagoi taksat e pajisjeve të “Agon Channel”

Shqipëria

Becchetti në gjyq, nuk pagoi taksat e pajisjeve të “Agon Channel”

Më: 30 qershor 2015 Në ora: 20:16

“Agon Channel” pritet të përballet këto ditë në Gjykatën e Apelit me Doganat shqiptare. Përfaqësues të kompanisë së drejtuar nga italiani Francesco Becchetti do të paraqiten në gjykatë, lidhur me detyrimin e papaguar të TVSH-së mbi pajisjet televizive të “Agon Channel”.

Doganat kanë apeluar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, të marrë nga gjyqtarja Elda Vrioni, ku Becchetti favorizohet për të mos shlyer detyrimin prej afro 1.2 milionë euro.

Në vendimin e dhënë korrikun e vitit të kaluar, gjyqtarja Vrioni kaloi kompetencat e saj, duke interpretuar në mënyrën e saj vendimin e Këshillit të Ministrave. Ky i fundit përcaktoi me VKM-në 180 të vitit 2013 të gjitha pajisjet dhe makineritë që, përjashtoheshin nga pagesa e taksave, pasi vlera e investimeve kalonte shumën prej 50 milionë lekë të reja.

Në listën përjashtuese nuk përfshiheshin pajisjet radiotelevizive. Por gjyqtarja, gjatë seancës deklaroi se pavaërsisht se këto pajisje nuk bënin pjesë në listën e vendimit nr.180, nuk do të thoshte se ato nuk duhet të ishin. Në këtë mënyrë gjyqtarja Vrioni vendosi të ndryshojë listën e makinerive dhe pajisjeve të përcaktuara nga ekzekutivi.

"VKM 180/2013 nuk trajton në përmbajtjen e tij ato lloj pajisjesh dhe makinerish të cilat do t'i shërbenin drejtpërdrejt investimit në sektorin e transmetimit televiziv. Në mungesë të këtij përcaktimi, nuk mund të thuhet se kjo VKM e ndalon subjektin të përfitojë nga ligji...", thuhet në vendimin e gjyqtares.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat