Klosi: Vullnetarizmi na bën më të mirë

Shqipëria

Klosi: Vullnetarizmi na bën më të mirë

Më: 30 qershor 2015 Në ora: 18:12

Ministria e Mirëqenies Sociale në bashkëpunim me partnerët e projektit IADSA, organizuan sot aktivitetin “Promovimi i vullnetarizmit”, në Shtëpinë e Fëmijëve Parashkollorë 3-6 vjeç në Shkodër, ku i pranishëm ishte edhe ministri Blendi Klosi.

Ministri u shpreh se kalimi i disa shërbimeve sociale rezidenciale në shërbime komunitare me bazë vullnetarizmin, përbën një nga prioritetet kryesore të ministrisë në trajtimin e grupeve vulnerabile.

Klosi theksoi se është detyra e shoqërisë që të gjejë modele dhe praktika sesi mund t’i zhvillojë më tej këto iniciativa. Duke u ndalur te vullnetarizmi, ministri theksoi se ai është një instrument i shtuar në tipologjitë e shërbimeve sociale.

“Vullnetarizmi është në zemrën e komunitetit dhe promovon besim, i bën njerëzit që të jenë qytetarë më të mirë dhe iu mundëson lidhje me komunitetin ku jetojnë për obligimet e veta si qytetarë, por dhe iu hapen perspektiva të reja zhvillimi. Kjo frymë e re, e praktikuar më së miri nga organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare që punojnë prej vitesh vullnetarisht në vendin tonë, partnere kryesore në nismën e ndërmarrë për zbatimin e shërbimit të vullnetarizmit në institucionet e përkujdesit social publik, tashmë e bën këtë shërbim realitet”, tha Klosi.

Më tej në fjalën e tij, ai e konsideroi si një sfidë të tijën në detyrën e ministrit të MSR-së që të mund të realizojë procesin e decentralizimit të shërbimeve sociale, vendosjen e standardeve në ofrimin e shportës së shërbimeve sociale komunitare, ku shërbimi të ofrohet atje ku është dhe nevoja e kategorive në nevojë.

“Vetëm duke integruar përpjekjet e pushtetit qendror me atë vendor, së bashku me aktorët e tjerë si shoqëria civile dhe donatorët, do të jemi në gjendje të hartojmë politika të ndjeshme dhe kështu qasja jonë ndaj shtresës në nevojë do të jetë në gjendje të adresojë problematikat e disavantazhit social me të cilat kjo shtresë përballet në realitetet e sotme zhvillimore”, përfundoi ministri Klosi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat