Inagurohet “Tirana Business Park”; Rama: Stimulim, për sipërmarrjet gjermane

Shqipëria

Inagurohet “Tirana Business Park”; Rama: Stimulim, për sipërmarrjet gjermane

Më: 30 qershor 2015 Në ora: 12:54

Kryeministri Edi Rama mori pjesë të martën në përurimin e “Tirana Business Park”, një investim i palës gjermane që sipas tij, “përbën një prurje të re në botën e sipërmarrjes shqiptare dhe do të ndihmojë në zhvillimin urbanistik dhe punësimin”.

Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama e vlerësoi këtë investim të palës gjermane me vlerë kulturore për Shqipërinë, si rruga për të konkurruar dhe për të pasur sukses. “Ky investim përbën një prurje të re në botën e sipërmarrjes shqiptare dhe do të ndihmojë në zhvillimin urbanistik dhe punësimin”, tha Rama në fjalën e tij. “Kjo është një tjetër arsye e fortë pse do të bëjmë çmos të stimulojmë sa më shumë sipërmarrjet gjermane në Shqipëri”, shtoi ai.

I pranishëm në ceremoninë e përurimit ishte edhe kryetari i sapozgjedhur i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. “Dua që t’ju ftoj publikisht, në atë që do të jetë këshilli ekonomik i Tiranës. Është në miniaturë dhe një strukturë e ngjashme me Këshillin Ekonomik Kombëtar, e ngjashme me atë që drejton kryeministri dhe që organizohet nga qeveria shqiptare”, tha Veliaj.

Gjatë fjalës së tij, Veliaj vuri theksin tek rëndësia e komunitetit të biznesit në zhvillimin e mëtejshëm të Tiranës. “Ne besojmë se komuniteti i biznesit ka çfarë të japë për qytetin, dhe jo vetëm të jeni anëtarë të rinj të biznesit në Këshillin e ri Bashkiak, por duam që këshilli ekonomik i Tiranës të jetë forumi kryesor, i cili filtron të gjithë vendimmarrjen e bashkisë së madhe të Tiranës, përpara se këto vendime të shkojnë në këshillin bashkiak”, nënvizoi Veliaj.

Gjithashtu, Veliaj u bëri thirrje të gjitha bizneseve për të marrë pjesë në garën për fondin e nxitjes së punësimit, e cila tanimë do të zhvillohet edhe nga bashkia e re e Tiranës.

“Duam gjithashtu, që prej shumë prej kompanive pjesëmarrëse këtu, të bëhet një garë e shëndetshme me qeverinë kur vjen puna tek fondi i nxitjes së punësimit. Qeveria aplikoi një eksperiment të suksesshëm për fondin e nxitjes së punësimit, pra për të investuar në ato kompani që ofrojnë punësim për të rinjtë dhe gratë. Duam shumë që qyteti i Tiranës, të ofrojë një garë me qeverinë, duke shtuar fondin e nxitjes së punësimit por këtë herë nga bashkia e Tiranës”.

Veliaj vlerësoi edhe eksperiencën e bizneseve në fushën e ekonomisë, pasi vetëm në këtë mënyrë Tirana mund të jetë e hapur për të bërë biznes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat