Akuzat për shpifje, gjyqi Tahiri-Paloka shtyhet për më 13 korrik

Shqipëria

Akuzat për shpifje, gjyqi Tahiri-Paloka shtyhet për më 13 korrik

Më: 30 qershor 2015 Në ora: 10:44

Gjykata e Lartë ka shtyrë për më datë 13 korrik seancën ndërmjet ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri dhe kreut të grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka. Padia e Tahirit lidhet me akuzat e bëra nga Paloka, ku deputeti i PD-së e ka akuzuar ministrin, si të lidhur me krimin dhe bandat kriminale në vend. Avokati i Tahirit i ka paraqitur Gjykatës së Lartë të gjitha provat në lidhje me akuzat e bëra nga deputeti demokrat. Në sekretarinë e gjykatës dje u administruan edhe dy prova të tjera, të cilat lidheshin me shtypin e përditshëm, ku janë administruar vetëm deklaratat e deputetit Paloka.

Ministri Tahiri nuk u paraqit përpara togave të zeza, duke u përfaqësuar nga avokati i tij ligjor, teksa të njëjtën gjë bëri edhe kundërshtari i tij Paloka. Nga ana tjetër, avokati Edi Palokës ka kërkuar kohë nga trupi gjykues për të sjellë provat në mbrojtje të klientit të tij. Ai kërkoi të merren si provë disa materiale audiovizive, ku paraqitet ministri Tahiri duke ndërhyrë në emisione live në ekran. Për këtë vonesë në procesin e depozitimit të provave trupi gjykues i ka tërhequr vërejtje avokatit. Seanca e radhës do të mbahet më 13 korrik në ora 12:00 pranë Gjykatës së Lartë. Gjatë seancës së djeshme, avokati u shpreh se në të tri deklaratat e administruara nga gjykata si prova të të dëmtuarit akuzues, deputeti Paloka ka folur në emrin e Partisë Demokratike për të denoncuar fenomenet kriminale në vend dhe lidhjet e tyre me ministrin e brendshëm. Gjatë gjithë kohës Paloka i drejtohet ministrit të Brendshëm dhe jo personalisht Sajmir Tahirit.

Për këto arsye ai i kërkoi gjykatës rrëzimin e kësaj kërkese. Avokati kërkoi që t’i drejtonte tri pyetje ministrit Tahiri, por meqenëse ai nuk ishte i pranishëm, pyetjet iu drejtuan gjykatës, e cila nuk i mori parasysh pasi nuk kishin lidhje me këtë çështje. Tre javë më parë, Gjykata e Lartë shpalli fajtorë deputetët e PD-së, Edi Paloka dhe Arben Ristani, për akuzën e shpifjes ndaj kryeministrit Edi Rama. Ata u gjobitën me nga 200 mijë lekë, ndërkohë që u shpallën të pafajshëm për akuzën e fyerjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat