Zbutet situata në Lazarat

Shqipëria

Zbutet situata në Lazarat

Më: 30 qershor 2015 Në ora: 09:57

Edhe pas arrestimit të anëtarëve të “grupit të zjarrit”, sidomos të dy të dyshuarve kryesorë, vëllezërve Aliko, të cilët qëlluan mbi policinë duke vrarë një efektiv dhe duke plagosur dy të tjerë, edhe pse në Lazarat kanë mbetur vetëm dy postblloqe policie, një në hyrje dhe një tjetër në dalje të fshatit, banorët vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllur nëpër shtëpitë e tyre.
Që prej së mërkurës, kur u vra efektivi Ibrahim Basha, lazaratasit rrallë shihen të lëvizin nëpër fshat dhe thonë se ndihen të trembur.

Në Lazarat nuk ka më të shtëna armësh. As forca të RENEA-s apo të FNSH që lëvizin nëpër zonë.

Por frika e banorëve pas operacioneve të fundit nuk është larguar.

Jeta nuk është më e njëjtë në Lazarat, pas mëngjesit të së mërkurës. Banorët i kanë kufizuar lëvizjet e tyre, nëpër rrugët e fshatit.

Ata që kanë mbetur në Lazarat, nuk duan të thonë asgjë.

Madje 7 ditë pas ngjarjes së rëndë ku humbi jetën një efektiv i RENEA-s, aktualisht fshati gjendet gati i boshatisur, transmeton kj. Shumë familje në Lazarat janë larguar nga fshati, duke u strehuar tek të afërmit e tyre në Gjirokastër.

Dy postblloqe janë akoma të stacionuara në hyrje dhe në dalje të Lazaratit që kontrollojnë personat dhe mjetet që qarkullojnë nëpër territorin e fshatit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat