Meta thumbon qeverinë: Të ecë më shpejt

Shqipëria

Meta thumbon qeverinë: Të ecë më shpejt

Më: 30 qershor 2015 Në ora: 09:01

Kryetari i LSI u shpreh në festën e PS se ndryshimet në qeveri pas zgjedhjeve vendore janë në dorë të Kryeministrit, por sugjeron se ritmi duhet të ndryshojë sidomos pas krizës greke.

“ I vetmi rezultat që nuk mund të diskutohej ishte ai i fitores së 61 bashkive. Por përsëri them se nuk do të ishte shumë e shëndetshme për demokracinë. Ndaj le të ketë mundësinë edhe opozita mundësinë për të treguar modelin e saj të qeverisjes vendore në disa bashki dhe mbi të gjitha, është e rëndësishme të bashkëpunohet midis qeverisë dhe pushtetit të ri vendor”.

Për kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, rezultati që arriti koalicioni i majtë në zgjedhjet vendore nuk është ai që duhet të ishte. Duke folur dje gjatë festës së organizuar me rastin e përvjetorit të 24 të Partisë Socialiste, Meta tha se për koalicionin e majtë nuk duhet të diskutohej fare fitorja e të 61 bashkive. Gjithsesi, ai shprehet se edhe një rezultat i tillë nuk do i bënte mirë demokracisë në vend. Ndërkohë që lidhur me debatin nëse duhet të ketë ndryshime në qeveri apo jo, pas forcës së re të provuar për çdo parti politike pjesë e këtij koalicioni, Meta shprehet se kjo është një çështje për të cilën duhet pyetur Kryeministri. Gjithsesi, ai kërkon që qeveria të ecë më shpejt. Meta ka një mesazh edhe për sa i përket kujdesit që duhet të ketë vendi ynë nga ndikimi i krizës financiare greke, e cila sipas tij do ketë ndikimin e vet edhe në vendin tonë.

Zoti Meta, keni një urim për socialistët në këtë përvjetor të 24 të themelimit të Partia Socialiste?

Është një festë mjaft e veçantë pas një suksesi shumë të rëndësishëm që ka arritur PS dhe koalicioni i Aleancës për Shqipërinë Europiane në këto zgjedhje vendore. Dhe, përveçse se festë dhe gëzim, besoj se është edhe një përgjegjësi e shtuar për të ardhmen, si forcë kryesore qeverisjeje në vend dhe pas 1 milion votave të tjera që mori ky koalicion i drejtuar nga PS-ja për të përmbushur më mirë pritmëritë e qytetarëve tanë për të ardhmen.

Si e shikoni sfidën për 150 mijë anëtarë të PS-së vitin tjetër?

Mendoj se është një sfidë që tregon vullnetin e lidershipit të kësaj partie për të ecur në rrugën e rritjes së saj dhe të kontributit për të mbajtur të gjitha përgjegjësitë që ka marrë përpara qytetarëve.

Funksionoi si duhet ky koalicion në këto zgjedhje, pra mund të kishte një rezultat më të mirë?

Tani i vetmi rezultat që nuk mund të diskutohej ishte ai i fitores së 61 bashkive. Por përsëri them se nuk do të ishte shumë e shëndetshme për demokracinë. Ndaj le të ketë mundësinë edhe opozita mundësinë për të treguar modelin e saj të qeverisjes vendore në disa bashki dhe mbi të gjitha, është e rëndësishme të bashkëpunohet midis qeverisë dhe pushtetit të ri vendor në interesin e përbashkët të të gjithë shqiptarëve.

Këto ditë është hapur në media debati nëse duhet të ketë ndryshime në qeveri, për shkak të rezultateve që sollën këto zgjedhje për disa parti. Ju mendoni se është koha?

Kjo është një pyetje për Kryeministrin. Ai ndjen më mirë se kushdo nevojën për ndryshime. Por nga ne është e rëndësishme që qeveria të ecë më shpejt në rrugën e përmbushjes së objektivave të saj dhe njëkohësisht ndjekim me shumë vëmendje edhe krizën greke, e cila me sa duket pritet të prekë jo vetëm Greqinë, por edhe të ketë impaktet e saj në vendet kryesore partnere ku përfshihet edhe Shqipëria.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat