PS feston 24-vjetorin dhe fitoren në zgjedhje, Rama: Gëzuar ditëlindjen kreut të opozitës!

Shqipëria

PS feston 24-vjetorin dhe fitoren në zgjedhje, Rama: Gëzuar ditëlindjen kreut të opozitës!

Më: 29 qershor 2015 Në ora: 20:24

Partia Socialiste ka nisur festimet për 24-vjetorin e themelimit të saj dhe për fitoren në zgjedhjet lokale të 21 Qershorit. Kryeministri dhe kreu i PS-së, Edi Rama ka ftuar në këtë festë gjithë anëtarët dhe ish-anëtarët e Partisë Socialiste, si dhe ish-drejtues të saj ndër vite.

Festa e nisur pak minuta më parë ka mbeldhur para Teatrit Kombëtar krerë të partive, deputetë, të zgjedhur vendorë, kandidatë dhe struktura drejtuese të PS-së, por edhe përfaqësues të opozitës.

Kryeministri Rama e ka nisur fjalimin duke përgëzuar kandidatët e së majtës, që fituan në garën e 21 qershorit për bashkitë, ndërsa i ka uruar edhe ditëlindjen kreut të opozitës, e cila për koinçidencë përkon me 24-vjetorin e themelimit të PS-së.

Në fjalën e tij, kreu socialist është përqëndruar në fitoren e koalicionit të majtë në zgjedhjet vendore, por edhe në reformat e pritshme dhe sfidat e mëtejshme të qeverisë.

"Mirë se keni ardhur që të gjithë shumë të dashur miq. Faleminderit për gjithçka dhe gëzuar këtë festë të përbashkët fitoreje e përvjetori. Faleminderit socialistëve të rinj me teser dhe pa teser, me ‘Facebook’ e pa ‘Facebook”. Gëzuar me gjithë zemër ju shokë e shoqe, të njohur e të panjohur, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Gëzuar edhe grave që kandiduan dhe që morën një mbështetje të jashtëzakonshme. Gëzuar fitoren të dashur kryeshërbëtorë të sapozgjedhur të Shqipërisë nga të gjitha njësitë ku njerëzit zgjodhën alternativën tonë për Rilindje", tha Rama.

Rama uroi ndër të tjera edhe kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili ka ditëlindjen në të njëjtën ditë me përvjetorin e PS-së. "Gëzuar ditëlindjen edhe kreut të opozitës, që e ka ditëlindjen në një datë me PS, se edhe këtë herë nuk e falënderova në kohën reale. Doja ta falënderoja personalisht jo për fitoren tonë, por për referendumin që ndërmori personalisht. Jo se qytetarët janë të lumtur me qeverisjen, por e refuzojnë kategorikisht opozitën pa vizion derisa të vijojë e të thotë kam një alternativë të re për atë që dështoi me 1 milionë shuplaka”, tha Rama.

Kreu i qeverisë bëri thirrje për një hapje të re të PS për shtuar numrin e anëtarëve të partisë në të ardhmen. "Vitin e ardhshëm nuk do e shtyjmë ditëlindjen. Koha për një hapje të re të PS është ideale. Ta bëjmë PS përgjatë këtij viti një hapësirë të re për forca e mundësi që vijnë edhe nga jashtë saj", tha Rama.

Rama nuk harroi të falënderojë edhe aleatët e koalicionit, Ilir Metën, Shpëtim Idrizin dhe Bamir Topin.

"Fituam së bashku të gjithë. Nuk fituam vetëm, por edhe me socialistët e Metës. Me çamët e Idrizit, me Bamir Topin u cili besoi në shprehjen trimi i mirë me shokë shumë. Mirë se keni ardhur të gjithë. Gëzuar për fitoren me rastin e ditëlindjes së PS. Faleminderit të gjithëve socialistëve të angazhuar në zgjedhje. Falënderoj ata që garuan për ne. Morën numrin më të madh të votave të marra ndonjëherë në zgjedhjet vendore. Gëzuar ditëlindjen edhe kreut të opozitës, që e ka ditëlindjen në një datë me PS, se edhe këtë herë nuk e falënderova në kohën reale.

Doja ta falënderoja personalisht jo për fitoren tonë, por për referendumin që ndërmori personalisht. Jo se qytetarët janë të lumtur me qeverisjen, por e refuzojnë kategorikisht opozitën pa vizion derisa të vijojë e të thotë kam një alternativë të re për atë që dështoi me 1 milionë shuplaka. Kjo ishte një nga ato fitoret që s’arrihet shpesh. Reforma territoriale peshë të madhe në përgjegjësinë që na është ngarkuar. Madhësia e fitores na imponon ecjen me më shumë vendosmëri për reformat reale. Shqiptarët treguan se nuk kanë frikë nga reformat që ecin në drejtimin e duhur. Vitin e ardhshëm nuk do e shtyjmë ditëlindjen. Koha për një hapje të re të PS është ideale. Ta bëjmë PS përgjatë këtij viti një hapësirë të re për forca e mundësi që vijnë edhe nga jashtë saj”, tha Rama.

PS nuk e festoi 24-vjetorin e themelimit më 12 qershor, pasi ishte përfshirë në fushatën për zgjedhjet vendore. Siç duket, PS priste rezultatin e zgjedhjeve për të festuar siç duhet. Tashmë që kanë marrë pjesën dërrmuese të bashkive, socialistët mund të festojnë dy gëzime në një ditë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat