Shqipëria ul importin e grurit, prodhuesit ankohen për standardet

Shqipëria

Shqipëria ul importin e grurit, prodhuesit ankohen për standardet

Më: 29 qershor 2015 Në ora: 19:21

Shqipëria këtë vit ka një superprodhim të grurit dhe drithërave në përgjithësi ndaj dhe kërkesa për import në këtë drejtim do të ulet. Por kjo nuk do të thotë se Shqipëria nuk ka nevojë fare për import, pasi sipas përllogaritjeve rezulton se duhen edhe 300 mijë tonë të tjera për të plotësuar nevojat.

Kështu u deklarua sot në Tiranë gjatë një tryeze që ministri i Bujqësisë Edmond Panariti zhvilloi me prodhuesit e grurit në Shqipëri.

Panariti shtoi se edhe cilësia e grurit shqiptar është shumë e mirë, ndaj dhe ky prodhim duhet të gjejë treg.

"Ky vit ka qenë jashtëzakonisht i mbarë për drithërat në përgjithësi dhe në veçanti për grurin. Kemi një prodhim shumë të bollshëm, por ajo që është dhe më kryesore është se kemi edhe një cilësi shumë të mirë të grurit shqiptar. Për këtë arsye ne jemi të interesuar që gjithë sasia e grurit që është edhe mundi dhe sakrifica e fermerëve të gjejë treg. Në këtë mënyrë ne krijojmë një marrëdhënie të qëndrueshme midis blerësve të cilët nuk kanë pse të orientohen ndaj tregjeve të cilët vërtet mund të ofrojnë sasi më të mëdha të grurit por të një cilësie shumë më të dobët , për arsye sepse paketa e re e standardeve e pengon diçka të tillë, ndërkohë që gruri shqiptar është një grurë elitar," tha ministri Edmond Panariti.

Megjithatë ministri nuk tha se ky superpodhim në vend do të ndikojë në uljen e çmimit të grurit pasi këtë e përcakton kërkesë-oferta, jo Ministria e Bujqësisë. Ajo çka nënvizoi më tej ministri është fakti i respektimit të standardit prej 12 % të proteinës në grurë, një standard evropian që kurrsesi nuk do të tolerohet, qoftë nga Kosova, apo vende të tjera prej nga ne importojmë.

"Ajo që ne d uhet të insistojmë dhe nuk do të kërkojmë absolutisht që të çedohet dhe të kemi tolerancë në këtë drejtim do të jenë standardet; që ne nuk do të shmangemi nga standardi i ri shqiptar që është standardi i ri evropian i cilësisë së grurit dhe të miellit, dhe pastaj sigurisht çmimi është kërkesë-ofertë. Por unë mendoj se në rast se ne do t’i përmbahemi standardit të ri të jeni të sigurt që gruri shqiptar, çdo kokërr e grurit shqiptar, por edhe e grurit të Kosovës do të shërbejë për përgatitjen e bukës së shqiptarëve dhe të Kosovës. Në këtë mënyrë ne do të dekurajojmë lloj-lloj grurëash të cilësisë së dobët që për shkak të mosrregullimit të standardeve më përpara kanë mundur të infiltrojnë dhe të krijojnë ato shqetësime dhe ato çrregullime që ju i keni treguar," tha ministri i Bujqësisë Edmond Panariti.

Por, nga ana e tyre, prodhuesit dhe përpunuesit e grurit në Shqipër i thonë se paketa e re e standardeve të cilësisë së miellit dhe grurit që u miratua pak muaj më parë nuk po gjen zbatim, dhe se gruri shqiptar ka avantazhe cilësie në krahasim me grurin e importit.

Drejtuesi i Unionit të Prodhuesve të Miellit, Adi Haxhiymeri, tha se nuk janë kundër tregtisë së lirë, dhe kundër një importi specifik si nga Kosova apo diku tjetër, por këmbëngulin gjithmonë te standardi.

"Ne nuk jemi kundër tregtisë së lirë, ose eksport-importit të çdo lloj artikulli, aq më tepër të grurit, por ngulim këmbë fort për zbatimin e standardeve. Deri tani ka pasur shumë probleme zbatimi i kësaj pakete integrale edhe nga ana e Ministrisë janë bërë përpjekje. Gjithsesi kryesisht ka pas një qëndrim do kisha thënë shumë të fortë nga ana e shtetit të Kosovës. Ne jemi shumë të hapur siç e thamë, për çdo lloj shkëmbimi mallrash. Në këtë rast nuk flasim vetëm për produktin kosovar, por përfundimisht në rast se do zbatohet ky standard, jo vetëm që do të garantojë konsumatorin shqiptar për një cilësi të miellit dhe bukës e të gjitha të tjerat, por automatikisht do të hapë mundësinë e tregut të brendshëm. Duke qenë se Shqipëria është një treg ku mbi 70 % të nevojave e importon, sasia që prodhohet në Shqipëri është shumë larg nevojave të tregut të brendshëm, janë rreth 300 mijë tonë të tjera që importohen nga jashtë," tha Adi Haxhiymeri.

Krahas drithërave fermerët shqiptarë kanë siguruar edhe një prodhim të bollshëm edhe sa i përket perimeve, domates sidomos dhe për këtë ministri tha se po negociohet me Maqedoninë për të mos u përsëritur problemet e pak javëve më parë kur perimet shqiptare u bllokuan për 4 ditë në doganë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat