Banka Botërore: Shqipëria rrezikohet nga kriza e bankave greke

Shqipëria

Banka Botërore: Shqipëria rrezikohet nga kriza e bankave greke

Më: 29 qershor 2015 Në ora: 19:18

Banka Botërore paralajmëron se Shqipëria rrezikohet nga kriza e bankave greke. Në raportin e publikuar së fundmi për perspektivën globale, thuhet se sistemet bankare në Shqipëri, Bullgari, Maqedoni, Rumani dhe Serbi mbeten të pambrojtur ndaj infektimit nga degët e konsiderueshme të bankave greke në këto shtete.

Banka thekson se “Presioni ekonomik e financiar në Greqi përbën një rrezik shtesë për parashikimet për rajonin, pavarësisht se ekspozimi i vendeve të tjera të eurozonës është ulur që prej vitit 2010”.

Duke veçuar vendin tonë, raporti shpjegon se bankat me kapital grek në Shqipëri janë 18 për qind e totalit të bankave, çka paraqet rrezik për përhapjen e stresit të sistemit financiar grek. Përveç rrezikut që mund të vijë në Shqipëri nëpërmjet bankave greke, një tjetër risk është edhe nga remitancat duke qenë se vendi ynë merr nga dërgesat e emigrantëve afro sa 3.7 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto në Greqi.

Para këtij raporti, edhe agjencia e vlerësimit “Standard’s & Poors” vuri në dukje rrezikun e efektit negativ te sistemit financiar grek në Shqipëri dhe në Ballkan. Sipas raportit, falimentimi i Greqisë mund të ketë një efekt domino edhe në filialet e bankave greke në Shqipëri. Ai paralajmëroji uljen e normës së kreditimit për Shqipërinë, Maqedoninë, Serbinë, Rumaninë dhe Bullgarinë, nëse problemet e Greqisë vërshojnë në sistemet bankare të këtyre vendeve.

Mirëpo, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka përsëritur se sistemi bankar në vendin tonë është i mbrojtur dhe nuk preket nga kriza greke.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat