Gjiknuri: Nxitje për projektet e përbashkëta Shqipëri-Kosovë

Shqipëria

Gjiknuri: Nxitje për projektet e përbashkëta Shqipëri-Kosovë

Më: 29 qershor 2015 Në ora: 19:10

Përfaqësues të institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës janë mbledhur sot në Prishtinë për Expoforumin “Mënyrat e reja te financimit te projekteve strategjike Kosovë - Shqipëri”. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe kompani nga vendi e diaspora dhe donatorë, për të diskutuar objektivat strategjike të dy vendeve dhe mënyrat e financimin të projekteve të përbashkëta.

Gjatë këtij takimi është diskutuar mbi zhvillimet aktuale ekonomike, projektet e përbashkëta dhe mundësitë e financimeve, duke përfshirë donatorët dhe kapitalin privat. Më pas, përfaqësues të institucioneve nga të dy vendet kanë prezantuar projektet strategjike në sektorët e burimeve natyrore Kosovë-Shqipëri, me fokus, energjinë, minierat dhe transportin.

Në fjalën e tij, Ministri Gjiknuri theksoi se ka sektorë të ekonomisë që janë vërtet strategjike, por që patjetër do të kërkojnë institucione të qëndrueshme, një demokratizim, një mirëmenaxhim të këtyre kompanive publike dhe një mirëfunksionim të vet sistemit të drejtësisë dhe të ligjit në vendet tona.

“Pa të tilla është shumë vështirë të krijosh tregje kapitale ku publiku të ketë besim dhe të investojë pasuritë e tyre. Na ngelet detyrë ne politikanëve, njerëzit që na kanë votuar për të qeverisur vendin, që të bëjmë sa më shumë në lidhje me transparencën, konkurrencën, mbikëqyrjen e fortë financiare në ato tregje që duhen mbikëqyrur, sidomos tregu financiar dhe kjo patjetër do të sjellë një angazhim më të madh të publikut shqiptar në ato investime strategjike aq të nevojshme”, theksoi Gjiknuri.

Sipas ministrit Gjiknuri, në sektorin energjetik potencialet janë të mëdha: “Ne si qeveri nëpërmjet reformës strukturore që po bëjmë në tregun e energjisë elektrike, po mundohemi të krijojmë një treg të qëndrueshëm, jashtë monopoleve shtetërore, fillim të liberalizimit”.

Sipas Gjinurit, masat që janë marrë me qeverinë e Kosovës për krijimin e tregut të përbashkët, është pikërisht zgjerimi i kësaj hapësire, të krijojnë një treg shumë aktiv mes Kosovës dhe Shqipërisë, që të jetë një hapësirë e nevojshme, e përbashkët duke ofruar mundësitë komplementare që kanë të dyja vendet.

Duke ju referuar burimeve të reja të gjenerimit të energjisë dhe alternimit të tyre mes Shqipërisë dhe Kosovës, Z.Gjiknuri theksoi se dy vendet po bashkëpunojnë për ndërtimin e një aseti të përbashkët afër kufirit Shqipëri - Kosovë për thëngjillin që ndodhet në Dukagjin.

Ndërkohë, ministri i Diasporës së Kosovës Valon Murati, tha se e sheh diasporën si shqiptare. “Ministria jonë këtë qasje e ka patur në të gjitha mekanizmat që i kemi krijuar në rrjetet e bizneseve ku marrin pjesë shqiptarët nga të gjitha trevat. Synimi i të dyja qeverive është për të krijuar një treg të përbashkët dhe kjo është pozitive pasi diaspora shqiptare tërhiqet më shumë për të ardhur me investime në një treg të përbashkët e të madh”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat