Plazhet, fluks turistësh nga Mali i Zi drejt Shqipërisë

Shqipëria

Plazhet, fluks turistësh nga Mali i Zi drejt Shqipërisë

Më: 29 qershor 2015 Në ora: 16:39

Rritja e temperaturave ka bërë që të shtohet edhe numri i pushuesve që kanë vendosur të kalojnë pushimet në vendin tonë. Gjata ditës së djeshme janë krijuar radhë të gjata në Pikën e Kalimit të Muriqanit. Një numër i madh turistësh kanë zgjedhur Shqipërinë për të shijuar pushimet. Sipas të dhënave në këtë pikë, vetëm gjatë 24 orëve kanë hyrë 4800 persona. Për të shmangur radhët dhe orët e gjatë të pritjes është rënë dakord nga policitë kufitare të dy vendeve që të merren masa, në mënyrë që t’i jepet fund këtij shqetësimi. Një prej masave të marra nga dy policitë kufitare është ajo e lehtësimit të procedurave gjatë kalimit të kufirit nga të dyja palët. Mirëpo, gjatë ditëve në vazhdim pritet që fluksi i pushuesve që do të hyjnë nga kjo pikë kufitare të rritet, por edhe anasjelltas. Një numër i konsiderueshëm shqiptarësh zgjedhin Malin e Zi për të kaluar pushimet dhe kjo tregohet edhe nga të dhënat.

Në 24 orët e fundit janë larguar nga Muriqani 3000 shqiptarë. Përpos kësaj, si për çudi gjatë ditës së djeshme, plazhi i Durrësit ka qenë bosh. Ndonëse është një prej plazheve më të frekuentuara në vend, duket se fundjava që lamë pas ishte tepër zhgënjyese. Ndodh rrallë që plazhi i tyre të ketë një numër kaq të paktë pushuesish, sidomos në fund të muajit qershor. Numri i tyre ishte i papërfillshëm dhe të krijohet përshtypja sikur bëhej fjalë për javët e para të muajit maj dhe jo për fundin e qershorit, ku fluksi në përgjithësi është i madh. Ndoshta moti i paqëndrueshëm ka qenë një prej faktorëve kryesorë që ka ndikuar në këtë frekuentim të ulët të bregdetit, sidomos atij të Durrësit. Përveç numrit të ulët të pushuesve, pronarët e hoteleve theksojnë se edhe numri i prenotimeve është mjaft i ulët krahasuar me vitin e shkuar.

“Koha e keqe, muaji i Ramazanit, zgjedhjet, të gjitha nga pak kanë ndikuar në këtë frekuentim të ulët të bregdetit të Durrësit. Shpresojmë që të rritet fluksi sidomos gjatë muajit korrik-gusht. Gjithashtu edhe numri i pushuesve kosovarë ka rënë, të cilët Durrësin e kishin destinacionin e tyre të parë”, tregon një pronar biznesi. Ndryshe nga qyteti i Durrësit, ai i Vlorës ka pasur një fluks të madh pushuesish, pavarësisht motit. Mjaft turistë të ardhur nga Kosova, Maqedonia, por edhe nga qytetet e tjera të Shqipërisë kanë zgjedhur plazhin e Zvërnecit për të kaluar fundjavën. Turistët shprehen se janë një sërë arsyesh që i kanë nxitur të zgjedhin Vlorën, që nga bregdeti i mirë e deri të cilësia e shërbimit të ofruar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri i turistëve në këtë qytet është më i lartë.

Frekuentimi i plazheve të Vlorës ka nisur që në fillim të muajit maj, por duket se fundi i qershorit e ka dyfishuar numri e pushuesve. Pritet që gjatë muajve korrik dhe gusht fluksi të jetë më i madh, sidomos 15 ditët e para të muajit gusht. Periudhë kjo e preferuar në masë për pushime. Sipas shërbimit meteorologjik, gjatë kësaj jave pritet të ketë një rritje të temperaturave në vend. Ditën e mërkurë, temperaturat do të arrijnë deri në 40 gradë dhe kjo do të vijojë gjatë gjithë javës. Numri i personave që do të zgjedhin bregdetin pritet të rritet. Megjithatë, mjekët këshillojnë që të evitohet dalja në orët e pikut, sidomos nga fëmijët dhe të moshuarit, të cilët janë edhe dy kategoritë më të rrezikuara. Ndër të tjera, mjekët bëjnë thirrje që të konsumohen sa më shumë lëngje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat