Krahasimi me 2013, si kanë ndryshuar votat për koalicionet në 12 qarqe

Shqipëria

Krahasimi me 2013, si kanë ndryshuar votat për koalicionet në 12 qarqe

Më: 29 qershor 2015 Në ora: 08:20

Koalicioni i majtë rezulton me rritje në qarqet e veriut dhe rënie në disa bastione të jugut, si Vlora dhe Berati. Rritja më e fortë për ASHE në Durrës. E djathta bie në veri dhe merr kuota në jug.


 


Në qarkun e Beratit, vota për këshilltarë ka treguar një reduktim të djeshëm të së majtës, pavarësisht koalicionit të madh që krijoi dhe partive që mori nga e djathta. Kështu, në vitin 2013 e majta siguroi 67 mijë vota ose 74 %, ndërsa në vitin 2015 ajo mundi të marrë 59 mijë vota ose 71 % për qind. Pra kemi një rënie me 8 mijë vota ose 3%. Ndërsa koalicioni i djathtë duket se ka forcuar pozitat në këtë qark në raport me të majtën.


Kjo pasi në 2013 e djathta mori 23 mijë vota, ndërsa në 2015 mundi të marrë 22 mijë vota. Por, pavarësisht se kemi një rënie prej 1 mijë votash, në përqindje e djathta ka një rritje prej 1 %. Në 2013 e djathta kishte 25 për qind të votave, ndërsa në 2015 ka mundur të marrë 26 %. Ndërkohë që sa i përket partive, rënie kanë pësuar të gjitha forcat e mëdha politike. Por ajo që bie në sy është rënia e LSI-së, ndryshe nga sa ka ndodhur në qarqet e tjera ku ajo ka arritur të dyfishojë rezultatin.


Dibra


Ndërsa në një qark si Berati që konsiderohet si bastion i së majtës, e djathta ka pasur rritje, nuk mund të thuhet e njëjta gjë në bastionet e veta, siç është edhe Dibra. Kështu, në këtë qark e majta ka një rritje si në vota ashtu edhe në përqindje. Në 2013, e majta në këtë qark kishte 37 mijë vota ose 50 % e totalit të tyre, në 2015 ajo ka mundur të marrë 40 mijë vota ose 55%. Ndërsa e djathta ka një rënie me rreth 6 mijë vota. Nga 35 mijë vota në 2013, ajo në 2015 mundi të marrë vetëm 29 mijë vota. Një rënie prej 7 pikësh ajo e ka edhe në përqindje. Në këtë qark rënie kanë të gjitha partitë e mëdha, por rënien më të madhe e ka PD.


Durrësi


Qarku i Durrësit ka prodhuar për të majtën një nga rezultatet më pozitive të saj në raport me zgjedhjet e 2013. Rritja e saj është si në vota ashtu edhe në përqindje. Më konkretisht, në 2013 e majta kishte 79 mijë vota ose 51 për qind, ndërsa në 2015 ajo ka siguruar rreth 15 mijë vota më shumë si dhe 64 për qind të tyre. Por ajo që bie në sy në këtë qark është rrudhja e madhe e së djathtës. Kështu, në 2013 ajo kishte 70 mijë vota, ndërsa në 2015 mundi të marrë vetëm 50 mijë. Ndërsa në përqindje këto shifra përkthehen 45 % në 2013 dhe 33 % në 2015. Sa i përket partive, dy forcat kryesore edhe në këtë qark kanë pësuar rënie të ndjeshme, ndërsa s’mund të thuhet e njëjta gjë për LSI-në. Në këtë qark LSI ka siguruar ndoshta rezultatin më pozitiv, pasi gati ka trefishuar votat e saj. Nga 11 vota në 2013, në 2015 ajo ka siguruar plot 30 mijë vota në këtë qark.


Elbasani


Një rritje të lehtë të votave ka siguruar e majta edhe në qarkun e Elbasanit. Nga 102 mijë vota në 2013, në zgjedhjet e javës së shkuar ajo ka siguruar 107 mijë vota. Por në përqindje ajo ka siguruar një rritje prej afro 10 pikësh. Në 2013-n e majta kishte vetëm 58 për qind, në 2015 ajo ka marrë 68 për qind. Natyrisht, rezultati pozitiv i së majtës sjell për pasojë dhe një rezultat akoma më negativ për të djathtën. Ndërsa në 2013 ajo ka marrë 68 mijë vota ose 39 për qind të tyre, në 2015 ajo ka marrë 45 mijë vota ose 28 për qind të votave totale të këtij qarku. Edhe në këtë qark, ndërsa dy forcat e mëdha kanë rënie të numrit dhe përqindjes së votave, LSI ka një rritje me 5 mijë vota.


Fieri


Qarku i Fierit ka treguar edhe në këto zgjedhje se mbetet një bastion i fortë i së majtës. Krahasuar me 2013, megjithëse numri total i votave të së majtës ka një rënie të vogël prej 3 mijë votash, në përqindje e majta ka siguruar një rritje me 6 pikë. Një rënie ka pësuar e djathta në këtë qark si për sa i përket numrit të votave, ashtu edhe përqindjes. Pra e djathta ka 14 mijë vota më pak se dy vite më parë. Rënie të konsiderueshme në këtë qark ka dhe vota partiake e PS dhe PD, ndërsa LSI ka siguruar 13 mijë vota më shumë, duke kaluar forcë e dytë në këtë qark, pas PS-së.


Gjirokastra


Qarku i Gjirokastrës është ndoshta nga të vetmet qarqe ku të dyja koalicionet kanë pësuar një rënie në raporte të njëjta. E majta nga 40 mijë vota në 2013, në zgjedhjet e javës së shkuar ka një rënie me afro 2 mijë vota. Rënie ka pësuar e majta edhe në përqindje. Nga 68 për qind, sot ajo ka vetëm 66 për qind. Nga ana tjetër, i njëjti raport rënieje është edhe për të djathtën. Nga 18 mijë vota dhe 50 për qind në 2013, javën e shkuar ajo siguroi 16 mijë vota dhe 27 për qind të votave totale. Edhe në këtë qark ndërsa PS dhe PD kanë rënie të ndjeshme, LSI ka një rritje fare të vogël prej 1 mijë votash.


Korça


Ndërkohë në qarkun e Korçës e majta ka një rënie të vogël prej 2 mijë votash, por ka një rritje të ndjeshme të përqindjes nga 60 në 66 për qind, krahasuar me 2013. Ndërkohë që në krahun tjetër e djathta ka një rënie të ndjeshme prej afro 17 mijë votash si dhe 8 pikësh në përqindje. Në këtë qark PS ka shënuar një rënie prej 50 për qind të votave, ndërsa LSI ka një rritje me 6 mijë vota.


Kukësi


E ndërsa ka rënie në qarqet e jugut, e majta ka shënuar një rritje të konsiderueshme në qarqet e veriut. Përveç Dibrës, edhe Kukësi është një qark ku e majta ka pësuar rritje. Nga 18 mijë vota në 2013 në 2015 ajo ka siguruar 24 mijë vota. Rritja më e madhe është në përqindje, ku nga 39 për qind që kishte dy vite më parë, sot ajo ka siguruar 53 për qind të votave. Nga ana tjetër, e djathta ka pësuar një rënie me afro 9 mijë vota, ndërsa në përqindje ajo ka një rënie me 20 pikë. Ndërkohë që si votë partie në këtë qark kanë pësuar rënie të gjitha partitë e mëdha.


Lezha


Në Lezhë, e majta ka mundur të mbajë të njëjtin numër votash, por është rritur ndjeshëm në përqindje. Ajo ka marrë 39 mijë vota aq sa dhe në 2013, por ka një rritje në përqindje prej 9 pikësh. Ndërsa e djathta ka zbritur nga 39 mijë në 22 mijë vota, si dhe ka një rënie prej 6 pikësh në përqindje. Po ashtu, ky qark ka sjellë rënie për të gjitha partitë e mëdha, megjithëse për PS dhe PD kjo rënie ka qenë më e madhe.


Shkodra


Shkodra është i vetmi qark ku e djathta dhe majta kanë një balancë thuajse të plotë votash. Por koalicioni i djathtë megjithëse ka mundur të marrë të njëjtin numër votash, ka një rritje me 2 pikë përqindje. Ndërkohë që nga 44 për qind në 2013, në zgjedhjet e fundit ka siguruar 46 për qind të votave. Ndërsa nga ana tjetër, e majta ka pësuar një rënie të ndjeshme në këtë qark. Nga 64 mijë vota në 2013, sot ajo ka mundur të marrë 56 mijë vota. Ndërsa rënia më e madhe është në përqindje, pasi ka zbritur nga 52 në 47 për qind. Të dyja partitë e mëdha edhe në këtë qark kanë rënie, ndërsa LSI ka një rritje me 5 mijë vota.


Tirana


Në kryeqytet, e majta ka mundur të sigurojë sërish të njëjtin numër votash si edhe në 2013. Nga 251 mijë vota në 2013, në zgjedhjet e fundit ajo ka marrë 253 mijë vota. Por ajo ka shënuar një rritje të ndjeshme në përqindje, pasi nga 55 për qind në 2013, sot ajo ka 64 për qind të votave. Nga ana tjetër, e djathta ka një rënie me afro 50 mijë vota dhe 7 pikë përqindje. Edhe në këtë qark dy partitë e mëdha kanë një rënie të ndjeshme të votës së tyre, ndërsa LSI ka dyfishuar rezultatin e 2013.


Vlora


Në qarkun e Vlorës të dyja koalicionet kanë pësuar rënie të mbështetjes së tyre në votën për këshilla. Kështu, e majta nga 78 mijë vota në 2013, sot ka marrë 68 mijë. Rënie e majta ka dhe në përqindje, pasi nga 64 për qind, sot ka 63 për qind të votave në këtë qark. Nga ana tjetër edhe e djathta ka pësuar rënie, duke shkuar nga 37 mijë në 29 mijë vota. Por rënien më të madhe e djathta e ka në përqindje, pasi ka rënë nga 31 për qind në 27 për qind. Fenomeni që ka ndodhur në shumicën e qarqeve të tjera është përsëritur edhe në Vlorë, pasi PS dhe PD kanë rënie të votës së tyre partiake, ndërsa LSI ka një shtesë fare të vogël, prej 1500 votash.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat