Meta: Rihapim linjën e tragetit Brindizi-Shëngjin

Shqipëria

Meta: Rihapim linjën e tragetit Brindizi-Shëngjin

Më: 30 maj 2015 Në ora: 21:59

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta prezantoi të shtunë në Shëngjin kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Europiane për kryetar bashkie, Viktor Tusha.

Në fjalën e tij para banorëve, Meta ftoi lezhjanët të votojnë me mençuri me 21 qershor, për t’i hapur rrugë zhvillimit të integruar të këtij qyteti.

Qyteti i Shëngjinit, nënvizoi Meta, përfaqëson resurse të jashtëzakonshme, jo vetëm për të rritur mirëqënien e komunitetit këtu, por edhe për të kontribuuar për zhvillimin e të gjithë bashkisë së Lezhës.

Kreu i LSI-së,Meta iu bëri thirrje banorëve të zgjedhin kandidatin e ASHE-së, Viktor Tusha, në mënyrë që ai të marrë detyrën e kryebashkiakut të ri të bashkisë së re të Lezhës. “Besoj se Viktori është njeriu i duhur që i duhet bashkisë së re të Lezhës për të nisur punë menjëherë në 22 qershor, pasi kjo bashki e re ka nevojë për zhvillim të shpejtë dhe këtë e mundëson me eksperiencën e duhur për administrimin e problemeve z. Tusha”, tha kreu i LSI-së, Meta.

Meta u shpreh se drejtimi i Bashkisë së re të Lezësh, kërkon partneritet me qeverinë, sepse pa bashkëpunimin e ngushtë është shumë e vështirë për të realizuar atë progres të nevojshëm, për të garantuar shërbime cilësore e njëkohësisht për të mundësuar investimet që përmirësojnë jetën e qytetarëve, punësimin për të gjithë ata që kërkojnë të ndërtojnë të ardhmen këtu.

“Viktor Tusha ka vullnetin për të bashkëpunuar me qeverinë dhe qeveria ka vullnetin për ta mbështetur atë. Ai ka kapacitetin e duhur për të garantuar edhe partneritetin me donatorë të huaj për thithjen e investimeve për projektet që do t’i japin zgjidhje problemeve të qytetarëve të Lezhës”, tha Meta.

Duke u ndalur në projekte konkrete, Meta tha se zhvillimi i turizmit do të jetë një prioritet i mbështetur fuqimisht nga qeveria. Po ashtu, sipas Metës, rikonstruksioni dhe zhvillimi i Portit të Shëngjinit është objektiv i rëndësishëm. Për këtë, ai informoi se në ditët e ardhshme do të rivihet, pas gati 10 vitesh ndërprerjeje, linja e tragetit Brindizi-Shëngjin, ndërsa premtoi se do të vendosen edhe linja të tjera që do ta kthejnë Shëngjinin në një port të rëndësishëm, jo vetëm për mallrat por edhe për pasagjerët e gjithçka tjetër.

“Shumë shpejt do të realizohet edhe porti i Jahteve, për të cilin kanë nisur procedurat e ku do të punësohen rreth 200 banorë të komunitetit të Shëngjinit. Kjo do t’i japë një impuls të veçantë zhvillimit të turizmit. Një projekt shumë i rëndësishëm mbetet jo vetëm bashkimi i të gjitha këtyre resurseve brenda Lezhës, por edhe lidhja e Shëngjinit me Velipojën që përfaqëson një aks strategjik për zhvillimin e turizmit në të gjithë vendin”, deklaroi kreu i LSI-së.

Partia Demokratike, tha Meta është në drejtimin e gabuar, madje edhe të paditur dhe po përpiqet që të sjellë histori konflikti politik edhe në këto zgjedhje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat