Ahmetaj prezanton masat për sezonin e ri tursitik

Shqipëria

Ahmetaj prezanton masat për sezonin e ri tursitik

Më: 30 maj 2015 Në ora: 17:42

Ministri i Turizmit, Arben Ahmetaj, ka prezantuar sot planin e tij të masave për sezonin e ri turistik në vend.

Nga ishulli i Sazanit, ministri Ahmetaj tha se plani do të nisë me pastrimin e plazheve publike, por një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rendit publik dhe shërbimit shëndetësor.

"Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dy javë më parë ka filluar pastrimin e plazheve, nëpërmjet Agjencisë së Bregdetit, në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Mbrojtjes, pasi pushteti vendor është në proces zgjedhor nuk është në gjendje ta përmbushë këtë detyrë", tha Ahmetaj.

Edhe qarkullimi i mjeteve dhe shmangia e trafikut është një ndër masat që do të ndërmerren në zonat turistike më të populluara.

"Me Ministrinë e Brendshme gjithashtu është hartuar edhe plani i monitorimit të akseve kryesore, jo vetëm për të evituar aksidentet, por edhe për të shmangur trafikun e madh që harxhon kohë dhe krijon probleme me rehatinë e grupeve turistike", shtoi ministri Ahmetaj.

Nga ana tjetër, në fokus do të jetë dhe sinjalistika rrugore dhe ajo e destinacioneve. "Ministria e Transportit gjithashtu, dhe ajo e infrastrukturës po punon për sinjalistikën e rrugëve kryesore të përdorura nga qarkullimi turistik. Në të njëjtë kohë, bashkëpunimi nga të dyja agjencitë, qoftë Agjencia Kombëtare e Turizmit, qoftë ajo Bregdetit është fokusuar edhe tek sinjalistika e destinacioneve turistike, kulturore dhe historike", nënvizoi kreu i MZHETTS.

Gjithashtu është parashikuar që këtë vit, për herë të parë në plazhe dhe zona të tjera turistike të ngrihen urgjenca shëndetësore në dispozicion të të cilave do të ketë edhe autoambulanca.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat