Ç’regjistron kandidatët e PSD-së, Gjinushi: Kolegji Zgjedhor në gjunjë para PS-LSI

Shqipëria

Ç’regjistron kandidatët e PSD-së, Gjinushi: Kolegji Zgjedhor në gjunjë para PS-LSI

Më: 30 maj 2015 Në ora: 17:26

“Kolegji Zgjedhor është ulur në gjunjë para PS-së dhe LSI-së, ka shkelur Kushtetutën duke mohuar të drejtën për kandidim”, u shpreh kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor për të ç’regjistruar dy prej kandidatëve të kësaj partie, në Përrenjas dhe në Malësinë e Madhe.

Në seancën e mbajtur dje në Kolegj avokati i koalicionit të majtë ishte deputeti i LSI-së Spartak Braho, fakt të cilin Gjinushi e cilëson hapur si shembull të presionit që është ushtruar ndaj institucioneve.

Sipas Gjinushit “Kolegji dhe KQZ janë sjellur ndaj nesh siç u soll Ristani ndaj PS-së”.
“Janë vendime politike të parapregatitura, të financuara politikisht, ekonomikisht, me të tëra mjetet. Është një fatalitet se pas 23 qershorit në zgjedhjet e radhës ndodh që për 40 ditë rrjesht diskutohet se kush janë kriteret e kandidimit. Të diskutosh një nen që është shumë i qartë shkruar, ta keqinterpretosh dhe ta keqzbatosh qëllimisht dhe kolegji zgjedhor të dalë dhe kundër vetes, sepse ne para dy javësh e fituam, vendim 14 faqe, dhe neni i interpretuar zbatohet nga KQZ-ja dhe më pas ngrihet prapë Partia Socialiste dhe kundërshton KQZ-në se pse ka zbatuar vendimin e Kolegjit dhe Kolegji merr vendime në kundërshtim me veten. Me një Kolegj të tillë dhe me një KQZ të tillë as që mund të bëhet fjalë për standarde zgjedhore dhe zgjedhjet e radhës të jenë një bataçillëk i radhës”, shprehet kryetari i Partisë Social Demokrate në deklaratën për mediat.

Gjinushi i kujton Partisë Socialiste të gjitha betejat e përbashkëta për zgjedhjet e lira që nga viti ‘96, duke e akuzuar se po sillet njësoj si PD-ja.

“Partia Socialiste bashkë me ne luftuam dy vjet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa kujtuar luftën dhe përpjekjet në zgjedhjet e 96-ës, pa kujtuar 8 majin apo 97-ën, kjo bën të njëjtat gjëra që bënte PD-ja. Kur PD-ja i bëri kundër Ramës në maj në Tiranë, ne kemi qenë mbrojtësit kryesorë.Kolegji dhe KQZ janë sjellur ndaj nesh siç u soll Ristani ndaj PS-së”, shprehet ndër të tjera Gjinushi.

Kandidati i PSD-së në Përrenjas, Artur Topi, i cili u ç’regjistruar dje nga Kolegji Zgjedhor, kandidonte kundër kandidates së LSI-së.

Deklarata per shtyp e plote

Partia Social Demokrate e Shqipërisë konstaton me keqardhje se institucionet e pavarura që monitorojnë zbatimin e ligjit për zgjedhjet kanë shkelur vetë me dy këmbë ligjin dhe Kushtetutën duke mohuar të drejtën e kandidimit te kandidatëve tanë. Me vendimin e marrë më dt. 29 Maj 2015, Kolegji Zgjedhor është ulur në gjunjë para PS-së dhe LSI-së, ka shkelur Kushtetutën duke mohuar të drejtën për kandidim të dy kandidatëve tanë, përkatësisht Ardian Hysës në Malësi të Madhe dhe Artur Topit në Përrenjas. Vendimi është marrë në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe Kushtetutën dhe në kundërshtim dhe me vetë vendimet e mëparshme të vetë Kolegjit. Kolegji Zgjedhor kapitulloi dje sepse u detyrua të dalë kundër vetes, do të thotë që presioni ka qenë shumë i madh. Partia Socialiste bashkë me ne luftuam dy vjet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa kujtuar luftën dhe përpjekjet në zgjedhjet e 96-ës, pa kujtuar 8 majin apo 97-ën, kjo bën të njëjtat gjëra që bënte PD-ja. Kur PD-ja i bëri kundër Ramës në maj në Tiranë, ne kemi qenë mbrojtësit kryesorë. Kolegji dhe KQZ janë sjellur ndaj nesh siç u soll Ristani ndaj PS-së. Ndërsa keqpërdoren institucionet si më parë, atëherë nuk ka rilindje. Kjo është arsyeja pse shumica dërrmuese e së majtës janë të zhgënjyer, që shumica socialiste se ndjejnë veten në qeverisje, se ndjejnë veten të përfaqësuar dhe duhet ta reflektojnë këtë më 21 qershor. Skënder Gjinushi Kryetar i Partisë Social Demokrate.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat