Haxhinasto: Së shpejti, grup pune i përbashkët për realizimin e Korridorit Adriatiko-Jonian

Shqipëria

Haxhinasto: Së shpejti, grup pune i përbashkët për realizimin e Korridorit Adriatiko-Jonian

Më: 30 maj 2015 Në ora: 16:40

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, së bashku me homologun e tij malazez, Ivan Brajovic, inspektuan segmentin rrugor Hani-Hotit-Vermosh, ku gjatë fjalës së tij, ministri Haxhinasto deklaroi se deri tani 50% e segmentit prej 70 km është realizuar dhe kanë mbetur rreth 30 km në proces ndërtimi dhe tenderimi.

Një investim prej 45 milion dollarësh i qeverisë shqiptare, u cilësua nga ministri Haxhinasto si shumë i rëndësishëm dhe një shembull konkret i bashkëpunimit midis dy vendeve. Ne, tha ai, kemi shumë më tepër mundësi për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin.

“Kufiri për ne nuk duhet të ekzistojë. Kur ne kaluam kufirin kishte 2 pika kufitare dhe 2 pika doganore, kur ne kemi shembullin e shkëlqyer të Murriqanit që kemi 1 pikë doganore dhe 1 pikë kontrolli kufitar. Besoj se orientimin e kemi të drejtë dhe kemi mirëkuptimin e plotë që duhet të ecim për një bashkëpunim shumë më të madh. Zona në të dy anët e tij duhet të jetë një zonë e përbashkët integrale ekonomike për shqiptarët dhe malazezët e këtyre zonave,” tha ai.

Kjo rrugë do të jetë edhe një mundësi më e mirë, veçanërisht për komunën e re të Gucisë, për të gjallëruar aktivitetin ekonomik.

Duke folur për bashkëpunimin për projekte të tjera të dy vendeve, Haxhinasto u ndal në krijimin shumë shpejt të grupit të përbashkët teknik, me qëllim përgatitjen e studimit të fizibilitetit të “Korridorit Adriatik-Jonian”.

“Korridori Adriatiko-Jonian është një nga projektet e mëdha të përbashkëta, për të cilën do ngremë shpejt një grup pune të përbashkët, me qëllim të përgatisim studimin e fizibilitetit. Infrastruktura është e domosdoshme, por më e rëndësishme është aktiviteti ekonomik që ajo krijon dhe veçanërisht shkëmbimet njerëzore”, deklaroi ministri.

Rruga e re që do të ndërtohet është rreth 70 km në Hanin e Hotit dhe do shkurtojë ndjeshëm distancën me 120 km, rrugën nga Gucija në Podgoricë .Në përpjekjet e palës shqiptare ministri Haxhinasto deklaroi se do bëhet maksimumi që rruga të përfundojë në 6 mujorin e parë të 2017-ës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat