Rrokaj: Investimi te rinia është një investim për të ardhmen e Shqipërisë

Shqipëria

Rrokaj: Investimi te rinia është një investim për të ardhmen e Shqipërisë

Më: 30 maj 2015 Në ora: 16:34

Lëvizja Rinore për Integrim zhvilloi një takim mjaft entuziast me qindra të rinj, votues për herë të parë, në Njësinë Bashkiake nr. 1 në Tiranë. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe kryetari i LSI-së për Tiranën, Shezai Rrokaj, kryetari i Lëvizjes Rinore për Integrim, Endrit Braimllari, si dhe nënkryetarja e LRI-së, njëherazi deputete e Kuvendit të Shqipërisë, Kejdi Mehmetaj. Në këtë bashkëbisedim u diskutuan disa nga problematikat që kanë të rinjtë e njësie 1.

Në fjalën e tij kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim për Tiranën, z. Shezai Rrokaj, tha se LSI-ja është me fat që punon me të rinjtë, sepse vetëm rinia ka energjinë e duhur, vizionin e duhur, sinqeritetin e duhur për të shkuar përpara.

“Investimi tek rinia është investim për të ardhmen, ndaj Lëvizja Socialiste për Integrim e ka në qendër të vëmendjes investimin për rininë nëpërmjet përfaqësimit të saj në të gjitha strukturat e vendimmarrjes. Ju duhet të jeni pjesë e vendimmarrjes në mënyrë që Shqipëria të bëhet më e mirë. Ju nuk keni arsye që ta braktisni vendin tuaj, ju nuk keni arsye që të braktisni Tiranën, por të gjithë bashkë e bëjmë Shqipërinë më të mirë, të gjithë ne bashkë e bëjmë Tiranën më të mirë, një Tiranën të denjë për të gjithë qytetarët, një Tiranë që gjeneron punësim dhe që i jep shërbime për qytetarët e saj, më të pastër, më të gjelbër, me më shumë terrene sportive, me më shumë shkolla, me më shumë mundësi për të rinjtë”, – tha kryetari i LSI-së për Tiranën, Shezai Rrokaj, duke nënvizuar se “të gjithë bashkë ne jemi një forcë që do të bëjmë ndryshimin”.

Kryetari i LRI-së, Endrit Braimllari, kërkoi nga të rinjtë mbështetje për LSI-në dhe Erion Veliajn pasi sipas tij, vetëm kështu do të zgjidhen problemet e të rinjve në Tiranë.

“Zgjedhjet e 21 qershorit nuk janë zgjedhje thjesht për një kryetar bashkie apo një këshill bashkiak por janë zgjedhje të cilat çlirojnë rininë e Tiranës dhe i japin atyre më shumë mundësi. Ndaj u kërkoj që të votoni më 21 qershor Erion Veliajn për kryetar të Bashkisë së Tiranës dhe numrin 47, Lëvizjen Socialiste për Integrim. Duke votuar për LSI-në ju keni votuar veten tuaj pasi, për herë të parë në historinë e një force politike, nga 61 kandidatët që janë në Këshillin Bashkiak 39 prej tyre janë të rinj. Në 10 kandidatët e parë 5 janë të rinj”, tha Brahimllari.

Ai shtoi se “vota juaj është votë për të rinjtë dhe të rejat që do t’ju përfaqësojnë në Këshillin Bashkiak, është votë për Erionën, është votë për Floidën, është votë për Klevin, është votë për Irën, dhe kam bindjen maksimale se ato do të dinë të ngrenë zërin tuaj lart, sepse më mirë se kushdo i dinë problemet dhe shqetësimet që ju keni”.

Deputetja njëherazi nënkryetare e LRI-së, Kejdi Mehmetaj, tha se të gjithë të rinjtë e LRI-së që do të jenë në Këshillin Bashkiak të Tiranës do të jenë zëri më i fuqishëm i shqetësimeve të përditshme për të rinjtë dhe të rejat e Tiranës.

“Kandidatët tanë për në Këshillin Bashkiak të Tiranës nuk janë thjesht kandidatë për të mbushur listat por janë aty vajza dhe djem të shkëlqyer, me vlera, modeli i të rinjve më të mirë të Shqipërisë. Nga ana tjetër ata janë dhe miqtë tuaj më të mirë, dinë mirë se çfarë ju shqetëson, dinë mirë se çfarë nuk shkon mirë me rrugën, çfarë problemi ka me ujin e pijshëm, dinë ku ka probleme me kopshtet etj. Ndaj të gjithë së bashku kur të shkojmë për të votuar më 21 qershor ta hedhim votën për ata të rinj që dinë të na përfaqësojnë vërtetë”, tha Mehmetaj.

Sipas saj, LSI ka ditur t’i përkrahë dhe të jetë gjithmonë pranë të rinjve dhe duke shkuar vota për LSI-në shkon për rininë. Gjithashtu për të realizuar më së mirë projektet tona na duhet një kryetar i ri bashkie e cili ka vizionin për t’i bërë gjërat ndryshe. Prandaj më 21 qershor të votojmë Erion Veliajn. Së bashku ne do të bëjmë punë të shkëlqyera në Tiranë”, tha Mehmetaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat