Procesi në Gjykatën e Lartë, akuza: Edi Paloka, i pafajshëm

Shqipëria

Procesi në Gjykatën e Lartë, akuza: Edi Paloka, i pafajshëm

Më: 30 maj 2015 Në ora: 10:56

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, duhet të shpallet i pafajshëm për akuzat që ka lëshuar ndaj Kryeministrit Edi Rama. Prokuroria ka lexuar dje konkluzionet përfundimtare në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar pafajësi për deputetin e opozitës. Akuza qendrore argumentoi se akuza e shpifjes për shkak të detyrës është shfuqizuar që në vitin 2012. Sipas organit të akuzës, në deklaratat e Palokës është folur për kryeministrin si institucion dhe jo si emër i përveçëm, ndaj dhe qëndrimet nuk janë personale, por të Partisë Demokratike. Po sipas prokurorisë bien poshtë dhe akuzat e fyerjes, pasi në asnjë rast të deklaratës së Palokës nuk kanë fyer cilësitë e personit. Të njëjtin qëndrim mbajti dhe avokati mbrojtës i Palokës i cili tha se penalizmi i këtyre veprave nuk na afron me Bashkimin Europian. Ndërkohë, avokatja e Kryeministrit tha se ky është një lapsus i prokurorisë, për të cilën ajo nuk është dakord.

Procesi Rama-Ristani filloi pas një akuze në demokratit më 7 janar 2015 për lidhjen e Kryeministrit me Emiljano Shullazin. Në një seancë, Rama dhe Paloka refuzuan pajtimin. Më 7 janar 2015, dy ditë pas 2 atentateve ku mbetën të plagosur Emiljano Shullazi dhe 2 miq të tij, dhe një i vdekur, Edi Paloka deklaroi se shteti është në mbrojtje të bandave. Përmes një reagimi, Kryeministria i quajti shpifje dhe deklaroi se do të padiste në Gjykatën e Lartë. Në seancën e pajtimit, Kryeministri Rama deklaroi pas saj se s’ka asgjë për t’u pajtuar, pasi nuk është personale. “Për mua s’ka asgjë për t’u pajtuar, pasi nuk është personale, nuk është një akuzë e ngritur për një mosmarrëveshje mes një personi apo një tjetri, por është domosdoshmëri për publikun për të ditur të vërtetën dhe vetëm këtë. Nëse pala që më ka detyruar të drejtohem në dyert e gjykatës do të provojë nga të gjitha ato që ka thënë publiku duhet ta dijë, sepse bëhet fjalë për Kryeministrin.

Në të kundërt, publiku gjithashtu duhet ta dijë se nëse pala e akuzuar, këto akuza i ka ngritur për të cenuar integritetin e institucionit të Kryeministrit”, tha Rama. Ndërkohë, edhe Paloka refuzoi pajtimin. Ai tha se “Do t’u qëndrojmë akuzave tona deri në fund. E habitshme pse ka shkuar Rama në një seancë pajtimi”. Më pas bëri disa kërkesa për Ramën, por ia rrëzoi Gjykata e Lartë, teksa dje akuza vendosi që Paloka të shpallej i pafajshëm. Por dje, ka qenë edhe procesi Rama-Ristani. I njëjti qëndrim i mbrojtjes se deklaratat janë bërë në emër të forcës politike që përfaqëson, u mbajt dhe në seancën tjetër mes Kryeministrit Rama dhe sekretarit të përgjithshëm të Partisë Demokratike, Arben Ristani. Kreu i qeverisë kallëzoi penalisht për fyerje dhe shpifje, dy deputetët pas deklaratave të tyre se Rama është i lidhur me bandat kriminale. Për procesin ndaj Palokës, Gjykata pritet të japë vendimin e saj më 5 qershor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat