Ish-ushtarakët, si u vodhën pensionet me Aktin Normativ

Shqipëria

Ish-ushtarakët, si u vodhën pensionet me Aktin Normativ

Më: 30 maj 2015 Në ora: 10:25

Ushtarakët, pavarësisht nga koha e daljes në rezervë, lirim apo pension të parakohshëm, pension pleqërie dhe pension suplementar pleqërie, kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë në pasiguri të plotë juridike dhe me shumë probleme ekonomike. Me këtë qëndrim dalin shoqatat, komuniteti i ushtarakëve dhe familjet e tyre, duke rrëzuar me argumente legjendën e “Faturës së lartë financiare” apo të gropës së buxhetit. Kryesia e dy shoqatave ka hedhur poshtë pretendimet e qeverive të të dy krahëve se, nuk ka fonde dhe vendi ka pasur probleme financiare e nevoja publike.

Kreu i Shoqatës “AKUSH”, Kujtim Çako, duke analizuar ligjin për ish-ushtarakët, zbatimin e tij si dhe unison me zërin e këtij komuniteti, thotë se ka një shkelje të papranueshme në llogaritjen e pensionit të ushtarakëve, që bie ndesh me parimet kushtetuese. “Konkretisht, e ashtuquajtura “fatura e lartë financiare” ka ardhur si rezultat i mbartjes nga viti në vit të detyrimeve gjatë 25 viteve dhe moszbatimi legjislacionit, si VKM në kohën e duhur. Për shembull, në vitin 2005 dhe 2006 janë miratuar fondet përkatëse, por nga moszbatim i VKM-së përkatëse, janë “djegur fondet”, rreth 107 milionë lekë ose duhet thënë se nuk janë përdorur për qëllimin e miratuar për pagesën e pensioneve të ushtarakeve”, thotë Çako.

Sipas tij, pretendimi i qeverive gjatë kësaj kohe shumë të gjatë të mohimit të të drejtave ka qenë se “nuk ka fonde“, kur kjo shifër nuk përfaqëson asgjë para borxheve dhe buxhetit të këtij vendi. Ish-ushtarakët vlerësojnë se kjo praktikë argumentuese nuk ka të bëjë me ekonominë, por me politikën. Fakti negativ “Fatura e lartë financiare”, apo “diskrecioni i politikave ligjvënëse” dhe trajtimi juridik “Si përjashtim” i ushtarakëve nga qeveria mbron pikëpamjet dhe qëndrimin e saj kundër kërkesave ekonomike ligjore të ushtarakëve në lirim, në rezervë dhe pension. “Në kushtet e një loje politiko-juridike dhe të mungesës së një “buon-sensi” nga të gjitha qeveritë dhe organet e sigurimeve shoqërore, kërkesat e ushtarakeve mbeten ligjore përsëri në fuqi, të drejta të fituara me ligjin organik “Statusin e Ushtarakut”. Ushtarakët shqiptarë shpresojnë të marrin nga qeveria aktuale, vetëm atë që u takon, të drejtat e fituara me ligj”, thotë Çako.

Analiza

Lidhur me dokumentin e ISSH-së, i cili për shkak të problematikave të hasura, e kthen një ushtarak në debitor, Çako e analizon me një sërë argumentesh dhe më përfundimin se është shkelur neni 35 i ligjit 9210 datë 23.3.2004.

Së pari, fuqia prapavepruese shkon deri në ditën e parë të titullimit oficer ose nënoficer, me rrogën e parë të fillimit të karrierës deri në çastin e mbarimit të karrierës dhe daljes në lirim. Ndërsa e drejta me vendim gjykate fillon vetëm nga data 1 janari 1999, dita e parë e pagesës së pensioneve duke mohuar rreth 6-7 vjet, ushtaraku është lënë pa asnjë cent pagese.

Së dyti, e drejta e përfitimit të diferencës së pensionit me vendim gjykate të formës së prerë është ndërprerë padrejtësisht nga data 1.07.2009 e deri në momentin e daljes në pension pleqërie, pra ushtaraku në pension humbet disa vite të drejtën e tij.

Së treti, zgjatja e moshës së daljes në pension pleqërie me 10 vjet ka dhënë efekte në kohën e zgjatur të pensionit të parakohshëm, që do të thotë nga mosha 55 vjeç që ushtaraku dilte në vitet ’90-të, sot ka arritur në moshën 65 vjeç. Veç kësaj, mospagesa e pensionit në kohë nga ekzekutivi përkatës, sipas formulës së statusit të ushtarakut në vite, mbartte në kohë një detyrim financiar gjithnjë e më të madh, jo vetëm si diferencë e rillogaritur, por duke shtuar indeksimin dhe kamatëvonesën.

Së katërti, çfarë është ky parashkrim i së drejtës së fituar me ligjin organik-bazë “Për Statusin e ushtarakut” i pakuptim, as juridik dhe as ekonomik, kur dihet që në shoqërinë e sotme kapitaliste prona private në formën e vlerave të imobiles dhe të likuiditeteve, në pronë të patundshme dhe të tundshme është e shenjtë dhe e pa prekshme.

Së pesti, ekonomia shqiptare gjatë tranzicionit, pothuaj të tërë sektorët si ndërtimi, tregtia etj., kanë pasur një “boom” dhe rritja ekonomike ka qenë 1-2 shifrore dhe nuk ka pasur asnjë “nevoje publike”. Pra, pretendimi i çdo qeverie të djathtë apo të majtë për “gropë financiare” apo mungese mjetesh financiare nuk qëndron. Kjo edhe për faktin kur fondet financiare që shoqërojnë ligjet dhe VKM-në si faturë shoqëruese financiare, si fonde për zbatim shpesh kanë qenë dhe janë përdorur jo për pensione, por për qëllime të tjera, pa përmendur këtu që në të njëjtën kohë komunitete të tjera kanë përfituar shpërblime të merituara dhe të pa përfituara në kohë. Pra, paratë nuk kanë munguar asnjëherë, por predispozicioni i qeverive për zgjidhje dhe përfitimin e së drejtës ligjore të fituar, por të munguar deri më sot.

Premtimet e pazbatuara

Komuniteti i ushtarakëve i rikujton edhe një herë premtimet elektorale të koalicionit aktual gjatë fushatës elektorale tё vitit 2013, i cili ka qenë si vijon “Për ushtarakët do të zbatojmë vendimin Nr.33, datё 24.06.2010, tё Gjykatës Kushtetuese. “Ligji i parë që do tё anulojmë do të jetë Akti Normativ Nr.5, datë 10.11.2010, të cilin do ta kalojmë në parlament brenda vitit 2014. Do të zbatojmë, Statusin e Ushtarakut të vitit 2004. Kreu i AKUSH tregon se kryesocialisti premtoi për zbatimin e ligjit për pensionet e ish-ushtarakëve, një ligj i cili sipas PS-së është shkelur me një akt normativ antikushtetues, ndërkohë që këtë të drejtë ish-ushtarakët e rimorën, në Gjykatën Kushtetuese në vitin 2010”. Duke risjellë në vëmendje fjalët Kryeministrit, komuniteti shpreson se mazhoranca aktuale do t’u japë zgjidhje kërkesave.

Kush është Dr. Kujtim Çako

President i shoqatës “Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë”, (AKUSH) e themeluar rreth 6 vjet më parë, me objekt mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të ushtarakëve shqiptarë në rezervë, lirim, pension, veteranë dhe aktivë si dhe të familjeve të tyre kudo që ndodhen, brenda apo jashtë territorit të Republikës të Shqipërisë. Çako ka kryer studime si kontigjent ushtrie, student ushtarak, në Universitetin Shtetëror në Tiranë, në Fakultetin e Ekonomisë, diplomuar “ekonomist i përgjithshëm”. Ka kryer kualifikime të mëtejshme shkencore pasuniversitare dhe ështe promovuar “kandidat i shkencave” me gradë shkencore me miratim të Këshillit të Ministrave (Komisioni i Kualifikimit Shkencor). Në vitet 1984-1986 ka bërë një kualifikim pasuniversitar 3-vjeçar, mbrojtje disertacionit “Disa aspekte të shfrytëzimit racional të aftësive prodhuese në Industrinë Ushtarake”, duke fituar gradën shkencore “Kandidat i Shkencave Ekonomike” dhe “Doktor i Shkencave”. Është autor dhe bashkautor i disa botimeve me karakter shkencor me vlera per FARSH dhe ekonominë e vendit. Dr. Kujtim Çako ka kryer detyra të ndryshme, deri zv.ministër i Mbrojtjes për sektorin ekonomiko-financiar (1987-1992).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat