Bojaxhi: Bashkia ka qenë e keqmenaxhuar dhe e braktisur

Shqipëria

Bojaxhi: Bashkia ka qenë e keqmenaxhuar dhe e braktisur

Më: 29 maj 2015 Në ora: 14:06

Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Gjergj Bojaxhi, foli sot për planin e tij mbi mirëmenaxhimin e këtij institucioni. Ai theksoi se ndryshimi i Tiranës mund të fillojë vetëm nga ndryshimi i Bashkisë.

Bojaxhi u shpreh se Bashkia ka qenë e keqmenaxhuar e madje e braktisur nga drejtuesit e saj dhe se prioriteti i tyre kanë qenë lejet e ndërtimit dhe aktivitetet partiake.

“Flitet për shkatërrim sikur të jenë akte të pashmangshme natyrore. Është e qartë se askush nuk guxon të akuzojë, sepse klientët i kanë të përbashkët. Politika është e gjitha e bashkuar rreth të njëjtëve biznesmenë. Nëse Bashkia e Tiranës nuk çlirohet nga klientelizmi dhe korrupsioni, asgjë nuk do të ndryshojë në këtë qytet”, tha Bojaxhi.

Sipas tij, “paradoksi i Bashkisë së Tiranës është që nëse nga njëra anë nuk mbledh dot të ardhurat e veta, edhe pse ka një buxhet minimal krahasuar me kryeqytetet e tjera të botës, nga ana tjetër ajo nuk arrin dot të realizojë investimet dhe të shpenzoje më shumë se 80 për qind të buxhetit. Kandidatët e tjerë premtojnë projekte që kërkojnë qindra miliona euro që janë përtej mundësive të Bashkisë. Këto janë premtime spekullative”.

“Ne do të bëjmë inventarizimin e plotë dixhital i të gjitha subjekteve – banorë, biznese, prona – në bashkëpunim me zyrat e gjendjes civile, administratën tatimore, hipotekën, etj, mbledhjen e të ardhurave përmes agjentëve: ujësjellës, OSSHE, kompani telefonike, etj, vetëdijësimin e qytetarëve për kontribuimin përmes taksave. Po ashtu, lidhjen e të ardhurave shtesë me shërbime konkrete ndaj qytetareve. rritjen, në vitin e parë, me afërsisht 10 për qind e të ardhurave vjetore (afërsisht 8 milion euro) në vitin e parë; 40 për qind në vitin e katërt (afërsisht 33 milionë euro), shpenzimin e plote te buxhetit të Bashkisë, mbledhje e barabartë te taksës mbi pasuritë e patundshme, e cila do sjellë trefishimin e arkëtimeve dhe më shumë shërbime për të gjithë. Nderkohe, do te behet reformimi i shërbimit dhe shtimi i vend-parkimeve në zonat qëndrore të qytetit, gjë që do sjellë pesëfishimin e të ardhurave vjetore, do te ulim me 2 milionë euro shpenzimet administrative brenda vitit të parë përmes: a) kontrollit dhe ulje të kostove operative, b) rritjes së volumit të shërbimeve online c) dixhitalizimit të shërbimeve”, premtoi Bojaxhi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat