Pjesëmarrje e ulët e kandidateve gra në zgjedhje

Shqipëria

Pjesëmarrje e ulët e kandidateve gra në zgjedhje

Më: 29 maj 2015 Në ora: 14:03

Në zgjedhjet lokale të 21 qershorit vetëm 11% e kandidatëve janë gra dhe vajza, konstatohet në një vëzhgim të Koalicionit për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë.

Nga vëzhgimi që Koalicioni i ka bërë listave të kandidatëve të të gjitha partive, rezulton se në një total prej 138 kandidatësh për kryetarë bashkish, vetëm 15 janë kandidate gra e vajza, ose rreth 11 % e tyre, çka tregon një shifër shumë të ulët krahasuar me numrin e përgjithshëm të grave në vend.

Nga kjo rezulton që partitë politike vazhdojnë të mos promovojnë gratë e vajzat, duke mos u dhënë vendin që u takon në listat për kandidatë të bashkive në zgjedhjet vendore, pavarësisht se fryma e kodit zgjedhor kërkon që çdo grua të arrijë pjesmarrjen në 30% në çdo listë kandidatësh.

Sipas vëzhgimit, nga 40 kandidatë të PS-së në total që garojnë në këto zgjedhje, 9 prej tyre janë gra e vajza ose rreth 22.5 %. Lëvizja Socialiste për Integrim nga 16 kandidatë në total, vetëm 3 janë gra e vajza ose rreth 18.75 % dhe Partia Demokratike, nga 60 kandidate të PD-së në total, vetëm 3 janë gra e vajza ose rreth 5 %.

Partitë e tjera: Nga 22 kandidatë të pavarur ose të partive më të vogla si PR, PDIU, PSD, PBDNJ, MEGA, AP, etj., që garojnë në këto zgjedhje, asnjë prej tyre nuk ka kandiduar asnjë grua/vajzë për kryetare të bashkive.

Sipas Koalicionit, kandidimi i grave vetëm si anëtare të Këshillave Bashkiakë, është mbështetja më e vogël që partitë politike në Shqipëri mund të bënin për gratë dhe vajzat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat