Durrës, njësia lëvizëse e mamografisë në Manëz, Dako: Problemet shëndetësore primare në bashkinë e re

Shqipëria

Durrës, njësia lëvizëse e mamografisë në Manëz, Dako: Problemet shëndetësore primare në bashkinë e re

Më: 29 maj 2015 Në ora: 12:29

“Kujdesi shëndetësor ndaj popullatës duhet të jetë prioriteti parësor i punës sonë”. Kështu deklaroi kryebashkiaku i Durrësit dhe njëkohësisht kandidat i ASHE për këtë bashki, Vangjush Dako në një vizitë që ai bëri në qendrën shëndetësore të Manzës.

Në këtë qytezë ka disa ditë që njëra prej njësive lëvizëse që shërben për ekzaminimin e sëmundjeve të gjirit është vënë në funksion të grave të kësaj zone. Janë disa dhjetra gra të zonës të cilat po i nënshtrohen vizitës së gjirit pranë kësaj njësie lëvizëse.

Kryebashkiaku Dako në shoqërinë e ministrit të shëndetësisë Beqja dhe deputetes Klodiana Spahiu u takuan me banore të kësaj zone si dhe me personelin e qendrës shëndetësore të Manzës.

Kryebashkiaku Dako në fjalën e tij falenderoi ministrinë e shëndetësisë dhe në mënyrë të veçantë ministrin Beqja për punën që po kryen lidhur me përmirësimin e shërbimeve shëndetësore ndaj grave.

Dako theksoi se, “Jam i bindur që këtë punë të nisur do ta vazhdojmë edhe pas zgjedhjeve sepse ky territor bëhet pjesë e bashkisë së Durrësit dhe këtë shërbim do tia japim të gjitha grave që banojnë në territorin e bashkisë së Durrësit. Për ne problemet shëndetësore do të jenë prioritare pasi po patëm një shoqëri të shëndetëshme do të kemi një të ardhme më të sigurtë”.

Nga ana e saj deputetja Klodiana Spahiu tha se një nga zotimet tona të mbajtura është kontrolli me qëllim parandalimin e sëmundjeve të gjirit. Sipas saj ministria e shëndetësisë është prezente edhe në Durrës për ti ardhur në ndihmë grave dhe vajzave të kësaj zone. Deputetja Spahiu shpreson se në një të ardhme të afërt mundësitë përkontroll të jenë për një numër më të madh grash dhe vajzash në mënyrë që sëmundjet tumorale të mund të parandalohen në kohë.

Ndërsa ministri Beqja e vuri theksin në kompetencat në rritje që do të kenë bashkitë që do të dalin pas zgjedhjeve të 21 qershorit përsa i përket problemeve të shëndetësisë. Lidhur me këtë problem Beqja tha se, “objektivi ynë kryesor mbetet mbulimi universal i popullatës, por jemi të vetëdijshëm se drejtimi i duhur për mbulimin universal është aksesi universal që do të thotë shumë gjëra mund ti takojnë njerëzve por për shkak të distancës nga qendrat shëndetësore mund të mos i marrin këto shërbime. Pushteti i ri vendor që do të dalë nga zgjedhjet e 21 qershorit do të ketë më shumë kompetenca lidhur me prezencën në territor të shërbimit shëndetësor parësor si dhe të administrimit të tij”.

Më parë njësia lëvizëse për qëndroi 2 javë në qendrën shëndetësore të Sukthit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat